Ata janë të gjithë të huaj, por e duan Shqipërisë njëlloj, në mos më shumë se edhe shqiptarët. Këtu kanë gjetur një copëz parajse, me natyrën që të gjithë flasin me superlative. Disa prej tyre kanë qenë bashkëshoqërues të ndryshimeve të mëdha të vendit në këto 25 vjet deh nuk ngurrojnë të shprehin dhe hidhërimin për atë që njeriu i ka bërë natyrës.
Lexoni më poshtë intervistat e disa prej të huajve që punojnë e jetojnë në Shqipëri.
“Shqipëria ka evoluar shumë; nevojë për Reformën në Drejtësi”
Flet Luigi Triggiani, Drejtor i Unioncamere Puglia-Tirana Branch
Z. Triggiani e nis bisedën duke falënderuar për mundësinë që të flasë për Shqipërinë, sepse përvoja e tij këtu, ka qenë e rëndësishme për rritjen personale dhe profesionale. Shqipërinë e ka “zbuluar” në ditët e para të marsit të vitit 1991, si shumë qytetarë të Barit, kur anijet e para të mëdha zbarkuan në Bari dhe Brindisi.
Pyetjes se a do të jetonte përgjithmonë këtu, i përgjigjet “mbase do të jetoja”, ndërsa rrëfen se si libri i tij, “Shqipëria, ana B”, një manual për investime dhe biznes në Shqipëri, u përpoq të largonte paragjykimet për vendin tonë dhe t’i jepte krenarinë e nevojshme…
A mund të na flisni rreth lidhjes suaj me Shqipërinë, fillesat dhe më pas aktiviteti juaj këtu?
Shqipërinë e kam “zbuluar” në ditët e para të marsit të vitit 1991, si shumë qytetarë të Barit, kur anijet e para të mëdha zbarkuan në Bari dhe Brindisi. Për pak muaj diplomohesha dhe me një xhaxhain tim, vendosëm që të ndihmonim, si dhe shumë të tjerë, në kampin e refugjatëve që u ndërtua për të mirëpritur qindra e mijëra persona, më së shumti të rinj, të ardhur rishtazi në brigjet tona.
Në ato momente, kam njohur shumë njerëz, disa prej të cilëve kanë mbetur miqtë e mi dhe në veçanti, Edi, i cili disa vjet më vonë më ftoi si të ftuar nderi në dasmën e tij në Patos, pranë Fierit. Ishte 3 janar 1993. Asokohe punoja shumë dhe shkoja në kamp vetëm sepse kisha dhënë fjalën time, atë që ju i referoheni si “besa”, ndaj nuk mund të mungoja. Mikpritja e sinqertë e njerëzve dhe traditat e këtij vendi më bënë përshtypje: miqësia me mikun tim, Edin, gjithashtu ndikoi në këtë drejtim. Ndaj, nga ai moment, nuk reshta së shkuari atje.
Sot, mund të them se Shqipëria është një ndër dashuritë e mia të para, e kur dashuron nuk i sheh gjërat objektivisht, si për mirë, si për keq.
Në vitin 2004, kur ende fjala “Albanese” ishte një mbiemër dekualifikues, unë shkrova një libër, libri im i parë, i titulluar “Albania Lato B”, duke kujtuar anën B të Vinyl 33 RPM, të cilat shpesh përmbanin kryeveprat që ishin bërë vitet më të famshme. Shkrova këtë libër – një manual për investime dhe biznes në Shqipëri – nga nevoja që ndjeva për “drejtësi”; Unë nuk mund të qëndroja i heshtur para paragjykimeve për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Sot, me prezumimin më të vogël, mund të them se kjo punë, e cila sigurisht nuk ka qenë bestseller, ka sjellë disa investime në Shqipëri dhe ka ndikuar, megjithëse minimalisht, për të rimarrë krenarinë e kombësisë së saj nga shtetasit shqiptarë, një e mirë e rëndësishme. Shumë më tepër se unë, në këtë drejtim, bëri asokohe Edi Rama, duke i dhënë ngjyra qytetit.
Përse vendosët të kryeni një aktivitet të tillë në fushën e biznesit në Tiranë?
Unë punoj për “Unioncamere Puglia”, shoqata e Dhomave të Tregtisë të Pulias. Në Itali, Dhomat e Tregtisë luajnë rol qendror në zhvillimin e biznesit të vogël veçanërisht. Në vitin 1998, së bashku me kolegun tim, vendosëm të hapnim një zyrë të vogël të qëndrueshme për të ndihmuar biznesin e kompanive italiane dhe shqiptare. Ne ishim ndoshta të parët dhe ne jemi ende këtu.
Gjëja e parë që kemi bërë është që sollëm “Fiera del Levante” në Shqipëri. Një përvojë unike. Që atëherë, kemi ndihmuar shumë kompani dhe krenaria ime më e madhe është se shpesh, shqiptarët vijnë tek ne për t’u përfaqësuar dhe për t’u mbrojtur në biznes, prej kompanive italiane. Kam shumë miq të vërtetë në Shqipëri, njerëz për të cilët kam besim të madh dhe me të cilin do të ndaja gjithçka.
Cilat janë vështirësitë e punës këtu? Po mundësitë që ofron Shqipëria?
Bota ndryshon dhe Shqipëria po ndryshon edhe më shpejt. Vështirësitë e ditëve të sotme janë të ndryshme nga ato që ishin dikur: vetëm 10 vite më parë, mund të thoja që mundësitë po rrjedhin, të paktën për vendin tim, nga njohja e gjuhës, nga kostoja e punës, nga profesionalizmi i arritur nga disa shqiptarë të kthyer nga Italia, nga bukuria e natyrës etj. Sot këto mundësi kanë çuar në një lloj konfuzioni: shumë italianë të gjeneratës së fundit, sipërmarrës të vegjël dhe profesionistë mbi të gjitha, shumë prej tyre arritën në Shqipëri pa një plan konkret, por pothuajse vetëm për shkak se ata flasin italisht. Kanë mbetur ende disa vështirësi, edhe nëse është bërë shumë në këtë vend: drejtësia, mbi të gjitha, ka nevojë për një reformë të rëndësishme.
Çfarë do të dëshironit të ndryshonte në Shqipëri?
Kur mbërrita në vitin 1993, pashë pyjet e pishave në detin e Durrësit dhe Golemit, natyra e bukur deri në Sarandë, të ruajtur asokohe nga ushtarët e rinj. Po sot, si është katandisur Durrësi dhe Saranda? Dhe ndoshta asgjë nuk mund të bëhet për të parandaluar atë që duket sot, që për sytë e mi, është bërë një kërdi. Do të doja që të ishte ruajtur, nga këndvështrimi i peizazhit, të ishte në gjendje të mirë dhe mbase të zgjerohej, do të doja të kuptohej se si turizmi mund të jetë, në këtë moment, një burim i jashtëzakonshëm ekonomik, që lidh nyje të ndryshme turistike të botës. Do të doja t’i jepja jetë fshatrave në male … por kjo është një ëndërr!
“Në Shqipëri ka ngjashmëri me jetën tonë, duhet përmirësuar shërbimi në zonat turistike”
Flet Yigit Arman, përfaqësues për Shqipërinë i “AYEN-AS Energy Co Inc”
“Po, do të vazhdoja të jetoja në Shqipëri 100%. Jemi të ngjashëm. Ka shumë gjëra që do t’i veçoja si pozitive në këtë vend, ndër to lehtësia e lëvizjes si brenda qytetit, meqenëse vendi nga unë vij, Stambolli, ka trafik shumë të rënduar që na vështirëson punën.
Por, edhe lehtësi lëvizje në shtetet përreth duke qenë se Shqipëria është vend i vogël. Bukuritë natyrore janë të shumta, por mendoj se ka nevojë për investime në këtë sektor”… Yigit Arman shprehet kështu për Shqipërinë, vendin ku jeton prej 6 vitesh me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij. Përveç jetës profesionale dhe vështirësitë që has këtu, z. Arman tregon edhe shumë ndodhi që e lidhin me jetën e përditshme.
Sa vite keni që jetoni dhe punoni në Shqipëri? Cila ishte arsyeja që ju solli?
Kompania që përfaqësoj, të cilën e drejton im atë në Turqi, “Ayen AS”, pa një mundësi investimi në Shqipëri. Kjo kompani është krijuar në vitin 1986 dhe është kompania e dytë më e madhe në fushën energjetike në Turqi. Investimi i kompanisë në Turqi, në sektorin e energjisë së rinovueshme, ku përfshihen parqet eolike, si dhe hidrocentralet, është 1.5 miliardë dollarë (650 megavat).
Përveç kësaj, që nga viti 2000, kompania AYEN është pjesë e Bursës. Nisa të jetoj në Shqipëri para 6 viteve, duke qenë se nisi investimi ynë në fushën e ndërtimit të hidrocentraleve, për të cilën nënshkruam kontratën në vitin 2011 me autoritetin kontraktues shqiptar. Në janar të 2013-s nisi ndërtimi i hidrocentraleve në zonën e Mirditës, i cili përfundoi në fund të 2017.
Si është të punosh në Shqipëri? Si janë shqiptarët në këtë kontekst? A keni hasur vështirësi?
Nga aspekti ekonomik, pasi kemi ardhur nga Turqia, kemi parë lehtësi në këtë drejtim. Në Shqipëri mendoj se është një jetese e përshtatshme. Një ndër gjërat që ndikojnë në këtë drejtim, është trafiku më i lehtë se sa në Stamboll, që do të thotë nuk humbasim kohë për takime apo të ngjashme. Kjo, duke marrë në konsideratë se për punën time, si inxhinier ndërtimi, gjithmonë më duhet të lëviz jashtë qendrës së qyteteve.
Që kur nisa të punoj këtu, u ndjeva mirë dhe është si një shtëpi e dytë për mua. Kemi pasur disa vështirësi, sidomos gjatë pjesës së punës, për probleme që nuk kemi pasur mundësi që t’i zgjidhim në bashkëbisedime. Në kantier, na kanë sulmuar tre herë me armë, duke krijuar incidente të tilla. Në fillim të këtij viti, sërish patëm një sulm, që pati si arsye vendosjen e një flamuri turk, krahas atij shqiptar, në investimin që po bëjmë.
Për incidentet e para, një pjesë e përgjegjësisë lidhet me problematikën e pronësisë së tokës në Shqipëri, pasi një pjesë morën dëmshpërblimin e tyre sipas autoriteteve shqiptare; ndërsa një pjesë tjetër, ajo e “zëmëruar”, duke mos pasur dokumentacion të rregullt, nuk e përfitoi, ndaj dhe lindën incidentet.
Por, autoritetet shqiptare kanë qenë gjithmonë në ndihmesën tonë ndaj dhe marrëdhëniet tani i kemi të mira. Duhet thënë se në projektin tonë këtu janë investuar 278 milionë euro, gjatë fazës së ndërtimit kanë punuar 1100 persona, mbi 70% e të cilëve kanë qenë shqiptarë; ndërsa tani në fazën e menaxhimit rreth 150 persona janë në punë. Kemi kontribuar edhe në disa investime lokale për të ndihmuar.
Sa i përket jetës në Shqipëri, çfarë do të veçonit që pëlqeni këtu?
Ne e shohim Shqipërinë, në zemër të Europës, e një vend shumë të gjelbëruar dhe organik. Në përgjithësi, Shqipëria ka një klimë të këndshme dhe natyrë të gjelbëruar. Ka një strukturë natyrore që ende është e mbrojtur. Ka bukuri të shumta natyrore, si deti, ashtu edhe kodrat, malet etj. Kam vizituar shumë vende në Shqipëri, mbase edhe më shumë se vetë shqiptarët: Ohri, Pogradeci, Gjirokastra, Korça, Thethi, Valbona; bregdeti: Velipoja, Gjiri i Lalëzit, Saranda e shumë të tjera, të gjitha shumë të bukura. Shqipëria ka një pozicion interesant, është e lehtë që të udhëtohet për pak orë në shtetet fqinje; kjo gjë na ka pëlqyer gjithashtu.
Në këtë aspekt dua të bëj edhe një vërejtje: mundësitë natyrore janë të shumta, por investimi në infrastrukturë dhe investime në zona turistike lë për të dëshiruar. Edhe shërbimi nuk është në nivele të mira, sepse investimi para së gjithash, duhet bërë me njerëz të ditur dhe njerëz profesionistë.
Mbase Shqipërisë i mungojnë resortet me pesë yje, infrastruktura të tilla që të ofrojnë një shërbim gjithëpërfshirës në një vend, shërbime të tilla cilësore si kudo në botë. Megjithatë, nga viti 2012 që jetoj këtu, shoh ndryshime në jetën e përditshme, të përmirësuara këtu në Tiranë p.sh., Shqipëria po përmirësohet në disa gjëra me kalimin e kohës dhe në një kohë relativisht të vogël.
A do të ndanit një mendim personal për shqiptarët, nga sa keni vëzhguar këto vite? Në aspektin profesional?
Do të veçoja dy gjëra që kam hasur këtu dhe mendoj se duhet të ndryshojnë. E para, shqiptarët nuk dinë të sillen në trafik dhe taksistët janë njerëz që kërkojnë gjithmonë të të mashtrojnë. Ndërsa një element i dytë që do të doja të shtoja është se meshkujt shqiptarë duhet të respektojnë më shumë femrat drejtuese automjetesh. Nuk e bëjnë, përkundrazi, e sfidojnë shpeshherë duke e vendosur në situata të vështira në ngarje e sipër.
“Shqipëria ka potenciale për zhvillimin e turizmit rural; kurrë nuk do të mërzitesha këtu…”
Flet Tobias Gessler, drejtues i “Ride Albania Mountain Biking”
“Shqipëria, në ndryshim nga Zvicra, vendi im i origjinës, kurrë nuk të jep mërzi. Më duket një vend plot me ide, vend aventure dhe me njerëz mikpritës”.
Kështu nis të tregojë Tobi, ashtu sikurse miqtë e thërrasin, i cili prej 5 vitesh jeton në Shqipëri dhe drejton një biznes “aventure”, siç janë turet e çiklizmit në mal. Për të, Shqipëria ofron mundësi të mëdha në turizëm dhe po aq të mëdha janë edhe problemet në këtë sektor”…
A mund të na flisni për arsyet se pse jetoni e punoni në Shqipëri?
Jam një zviceran që jeton në Shqipëri që nga 2013. Pasi e vizitova këtë vend për herë të parë në 2011, u dashurova me njerëzit kaq të ngrohtë dhe mikpritës, si dhe me natyrën e egër të Shqipërisë.
Një tjetër arsye e kësaj lëvizjeje ishte se dëshiroja një jetë më intensive: gjërat në Zvicër janë kaq të përsosura, aq të qeta, kaq funksionale, se jeta në thelb kalon vetëm në një zinxhir të vazhdueshëm punë-gjumë-punë-gjumë. Është një privilegj që të lindësh dhe të jetosh atje, me siguri. Por është edhe pak e mërzitshme. Shqipëria është gjithçka – por jo e mërzitshme. Këtu unë gjithashtu ndiej hapësirë për ide të freskëta dhe duke u përpjekur t’i bëj ato të realizohen.
Pse zgjodhët që të punonit në sektorin e turizmit, si guidë profesionale?
Pasi punova këtu për disa vite në projekte zhvillimore, u lodha nga takime pa fund, konferenca të panumërta dhe përpilime dokumentesh – sepse nuk jam shumë i durueshëm, më duhet ta pranoj. Kisha nevojë për një veprim të drejtpërdrejtë dhe nën kontrollin tim, që më lejoi më pas të filloja biznesin tim të vogël për turizmin rural.
Pashë dhe shoh ende mundësinë që “turizmi i butë” mund të më sjellë, por edhe Shqipëria: Ndërmarrja personale dhe sipërmarrja për ndërtimin dhe edukimin e një kompanie private dhe në të njëjtën kohë mundësi më ekonomike për komunitetet rurale, në zonat që janë prekur rëndë nga eksodi dhe depopullimi.
Cilët janë vështirësitë më të mëdha të të punuarit këtu?
Nuk ka mungesë sfidash, kjo është e sigurt. Por si sfidat më të mëdha, unë do të përmendja atë që ndoshta biznese të tjera në Shqipëri – veçanërisht ato të huaja – do të thoshin gjithashtu: Mungesa e stafit të kualifikuar të veçantë për të prodhuar produkte dhe shërbime me cilësi të lartë dhe vlerë të lartë. Dhe e dyta, mungesë besimi dhe partneriteti mes sektorit privat dhe shtetit.
A ka turizmi shqiptar mundësi për zhvillim të mëtejshëm?
Shumë, dhe pres që ai të zhvillohet më shumë në vitet e ardhshme, duke përfshirë linjat ajrore me kosto të ulët që ofrojnë lidhje të reja me Europën etj. Së bashku me këtë, sipas pikëpamjes sime, edhe anët negative të turizmit do të arrijnë në Shqipëri, siç mund të jetë turizmi masiv. Për këtë arsye, pres që për shembull bregdeti të shkatërrohet më tej në vitet në vijim.
Por edhe për fshatrat malore si Theth ose Valbona, shoh një rrezik me atë që unë e lidh më “shumë, në mënyrë të shpejtë”. Nga ana tjetër – dhe aty ku unë dua të punoj dhe të investoj – shoh gjithashtu potencial të madh në zhvillimin e mëtejshëm të një turizmi të decentralizuar, të butë dhe rural, duke lejuar që shumë fshatra dhe rajone në Shqipëri, të gjejnë një jetë të re pozitive.
Çfarë ndikimi ka ky lloj turizmi që ju zhvilloni në zonën lokale?
Me këtë lloj turizmi, të cilin ne, por edhe disa kompani të tjera të ndërgjegjshme dhe të kujdesshme në Shqipëri praktikojnë, në thelb shpresojmë që t’u kthehemi komuniteteve rurale lokale. Shpresoj që në vendin e tyre, me traditën dhe kulturën e tyre, në rrënjët e tyre, ngadalë, por sigurisht rritet një mundësi ekonomike, që u lejon atyre dhe të rinjve të tyre të qëndrojnë, në vend që të largohen – për në Tiranë ose të drejtpërdrejt jashtë.
“Shqipëria vend i bukur; duhet të ndërgjegjësohen për sjelljen në timon dhe hedhjen e plehrave”
Flet Martha Bacile Findlay, shtetase amerikane nga Texas, SHBA
“Prej shumë vitesh jeton në Shqipëri, e angazhuar në projekte, prej të cilave më së shumti në jetimore në ndihmë të fëmijëve të braktisur, si dhe në kauza të mbrojtjes së kafshëve. Martha shprehet me nota pozitive për natyrën shqiptare, ndërsa ka edhe kritika për shqiptarët, sidomos për… ata që drejtojnë mjetin jo në mënyrën e duhur”.
A mund të na tregoni për arsyen pse keni vendosur të jetoni dhe të punoni në Shqipëri?
Kam jetuar dhe punuar ndërkombëtarisht për 18 vjet në Shqipëri, Jordani, Liban, Kosovë dhe Maqedoni. Më është ofruar një mundësi për t’u kthyer në Shqipëri në vitin 2009 dhe e kam përshëndetur kthimin në vendin ku ushqimi është super i shijshëm, malet janë të gjelbra dhe ka mundësi vullnetare për mua. Shpresoj se kam bërë një ndryshim në këtë vend në disa drejtime ku jam angazhuar.
Cilat janë vështirësitë apo sfidat kryesore të të jetuarit këtu?
Trafiku i këmbësorëve dhe automjeteve; njerëzit që pinë duhan atje ku ligji e ndalon atë; dhe fakti i trishtuar që kaq shumë shqiptarë ende zgjedhin të hedhin mbeturinat në rrugë, shtigje malore, plazhe dhe në liqenet e lumenjtë e tyre, e jo në një kosh plehrash. Ëndrra ime është të shoh të gjithë shoferët shqiptarë siç duhet të ngasin në trafik brenda qarqeve të trafikut (rreth-rrotullime) dhe të gjithë këmbësorët që kalojnë ligjërisht në vendet e shënuara të këmbësorëve.
Në Teksas, shteti nga ku unë vij, një person që shkel rregullat për automjetet, mund të marrë gjobë 50 deri në 4000 dollarë amerikanë, në varësi të rrethanave.
Pirja e duhanit në restorante apo ndërtesa publike është pothuajse e padëgjuar në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Gjobat deri në 2.000 dollarë janë në fuqi kundër shkelësve.
Në Teksas, dikush që hedh mbeturina ilegalisht mund të marrë deri në 2000 dollarë gjobë dhe 180 ditë në burg.
Cilat janë mundësitë që ofron Shqipëria?
Ka ende zona të paeksploruara në këtë vend dhe ato janë shumë të arritshme brenda një rruge të shkurtër. Kam vizituar shumë vende në të gjithë Shqipërinë, që shumë shqiptarë nuk i kanë vizituar gjatë jetës së tyre, përfshirë Beratin, Butrintin, Durrësin, Gjirokastrën, Korçën, Krujën, Malin e Dajtit (me teleferik dhe automjet), Përmetin, Petrelën, Sarandën, Shkodrën, Spaçin dhe Valbonën.
Transporti publik është në dispozicion për ata që nuk kanë makina. Më vjen keq të them se pas gjithë këtyre viteve në këtë vend të bukur, unë ende di vetëm disa fjalë shqip. Kjo është për shkak se gjithmonë ka qenë dikush që më ndihmon të komunikoj dhe më përkthen. Gjithashtu kam shpenzuar kohën time në vullnetarizëm me projekte të ndryshme si me foshnjat dhe kafshët e braktisura dhe ndihmesë në jetimore. Nuk kam arritur të kem kohë për të bërë një kurs për gjuhën shqipe. Shqipëria është mjaft e afërt me Europën, saqë mund të ngas makinën ose të fluturoj në vende të bukura për një fundjavë të gjatë.
“Fotografia që më lidhi me Shqipërinë”
Flet Alla Simacheva, fotografe profesioniste dhe drejtuese e “Pics Photography”
Të njohësh Alla-n do të thotë që të humbasësh në një hartë me tre drejtime, Rusinë, Japoninë dhe së fundmi, Shqipërinë. Por, ajo që e bën këtë fotografe profesioniste që të qëndrojë prej më shumë se 10 vjetësh në Shqipëri, është padyshim, i biri Ariani, si dhe familja që ka krijuar me një bashkëshort shqiptar. Për Alla-n, Shqipëria është një vend me mundësi, por edhe me sfidat e një tregu të vogël dhe shpeshherë, pa rregulla…
Kush është Alla Simacheva dhe cilat janë arsyet që ju bënë të vinit në Shqipëri?
Quhem Alla dhe kam lindur në Tokio, jam ruse dhe aktualisht jetoj në Tiranë. Siç e shikoni, profili im gjeografik është i ngatërruar. Takimi im i parë me Shqipërinë ka ndodhur 12 vite më parë, kur erdha për të takuar familjen e bashkëshortit të ardhshëm. Mikpritja e familjes dhe e gjithë Shqiptarëve në përgjithësi më bëri ta dashuroja vendin dhe pak më vonë u transferova në Tiranë.
A ofron Shqipëria mundësi të mira në tregun e punës për të huajt?
Pasi kisha ardhur në Tiranë, gjeta shumë shpejt punë dhe kam punuar në dy kompani të ndryshme përpara se të nisja diçka vetë. Mund të them që njeriu që kërkon, gjithmonë e gjen. Vetëm ka diçka që do të shtoja për tregun e punës këtu. Pagat e Moskës me të cilat isha mësuar dhe pagat që ofroheshin në Tiranë, kishin ndryshim të madh, e së bashku me nivelin e jetesës ishin sfiduese për mua… Ndoshta për këtë arsye ishte e nevojshme që të nisja projektet e mia personale.
Çfarë vështirësish apo sfidash hasni?
Duke punuar në studion time fotografike kuptova që tregu i shërbimit fotografik, sidomos shërbimit artistik, vlerësohet shumë pak dhe të gjithë klientët kanë përshtypjet e gabuara. Kjo ndodh për shkak se nuk ekzistojnë kriteret e qarta dhe transparente për fushën tonë. Shpeshherë mendohet që suksesi në realizimin e setit fotografik varet vetëm nga pajisjet të cilat disponon një fotograf dhe jo nga përvoja, aftësitë dhe profesionalizmi i vetë fotografit.
Vetëm së fundmi kanë filluar fotografët të mblidhen në një komunitet dhe të ndryshojnë për mirë situatën. Kjo më bëri të ndryshoja fokusin dhe të ktheja punën time online dhe tani jam e kënaqur duke punuar për tregun e jashtëm dhe duke vazhduar jetesën në Tiranë.
Çfarë do të donit të ndryshonit në sektorin ku punoni?
Të gjithë faktorët që kam përmendur më lart tek sfidat. Nga ana tjetër, nga përvoja me studion e fotografisë, mund të shtoja se të bërit biznes në Shqipëri është fushë e vështirë sepse, si në çdo vend tjetër, biznesi është i vështirë ta menaxhosh. Por në Shqipëri, duhet pasur parasysh se kemi një treg të vogël dhe nivel të ulët të jetesës.
A e keni menduar që të ktheheni, të ikni?
Të kthehem në Moskë, jo, por të lëviz nga një vend në një tjetër po, pikërisht, prandaj kam bërë maksimumin për të mos e lidhur veten me vendbanimin aktual, por jo edhe që ta braktis përfundimisht atë.
Përveç fotografisë, ka një sektor tjetër që e shihni që Shqipëria ofron mundësi të mira?
Me siguri është turizmi. Shqipëria është shumë e bukur dhe ofron mundësi ende në këtë sektor, ku besoj duhet punuar më tepër.