Partia Demokratike vendosi të vazhdojë protestat kundër projektit për këndin e lojrave tek Parku i Liqenit. Vendimi është marrë në mbledhjen e grupit parlamentar dhe kryesisë së kësaj partie. PD ka vendosur të përshkallëzojë protestat duke zgjeruar aleancën me qytetarët. PD gjithashtu së shpejti do të organizojë një protestë në shkallë kombëtare. Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së dhe kryesisë së kësaj partie, sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani konfirmoi:
“Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar dhe Kryesisë së Partisë Demokratike u mor vendim që ne do të përshkallëzojmë aksionin politik, por edhe aksionin qytetar, sepse do të krijojmë një aleancë të gjerë për Tiranën, ku do t’i bëjmë thirrje të gjithë opinionit publik në Tiranë dhe shkallë kombëtare që të bashkohen me kauzën tonë, kauzën e antikrimit, kauzën e antilirisë, kauzën antikushtetuetshmërisë që po ndodh dhe ne duhet të ngrihemi të gjithë të bashkuar kundër kësaj “anti” të madhe që ka krijuar ky pushtet për të realizuar atë që shqiptarët presin nga opozita në mënyrë që të krijojmë një jetë më të mirë dhe më të denjë në këtë vend. Çështja nuk është vetëm për betonizimin e parkut të liqenit, kjo është një nga arsyet”, tha Ristani.