Ndonëse shumë afër qendrës, blloku i banimit që kufizohet nga rrugët “Stavro Vinjau”, “Qamil Guranjaku” dhe “Pjetër Budi” në Njësinë 2, pranë Ambasadës Amerikane, nuk kishte njohur investime prej gati 20 vitesh. Banorëve u është dashur të bashkëjetonin me baltën në dimër, pluhurin në verë dhe zaptimin e pronës së përbashkët.
Sot, tre vjet nga ardhja e administratës së re në krye Bashkinë e Tiranës, lagja me sipërfaqe 24 mijë m2, është transformuar plotësisht, ku veç rrugëve, trotuareve të reja dhe vendeve të parkimit, i janë shtuar hapësirat e gjelbra, këndet rekreative dhe argëtuese për fëmijët dhe të rriturit.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Vasilika Hysi, inspektoi përfundimin e punimeve për rikualifikimin e bllokut dhe theksoi se ndryshimi i lagjes do t’i shërbejë më shumë se 5 mijë banorëve.
“Kjo njihet si lagja e Ambasadës Amerikane, por vetëm emrin ka të tillë sepse nuk i ngjan fare Amerikës. Nga Amerika e ndante vetëm një mur, por këtej ishte Kandahar, andej Amerikë. Nuk po them se sot është bërë Amerikë, por kemi një hapësirë shumë herë më qytetare. Fakti që njerëzit thonë: Po, këto i bëri bashkia, ama unë mbolla një lule, një pemë, dhashë pak hapësirë, kontribuova me pak punë, më bën të ndihem shumë krenar që i shërbej një qyteti që ka kaq shumë solidaritet. Pavarësisht numrit të madh të problemeve, ky qytet mbrun një ndjenjë familjare; pra sillemi si një familje, kur vjen puna tek interesi i përbashkët”, tha Veliaj.
Ai shtoi se kur mbeten edhe pak ditë nga 3-vjetori i marrjes së mandatit si kryetar i Bashkisë së Tiranës, qyteti ka pësuar ndryshime të prekshme, konkrete, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në mentalitet.
“Për pak ditë mbushim 3 vjet nga fillimi i punës në Bashkinë e Tiranës dhe më vjen mirë që teksa kthejmë kokën mbrapa, kuptojmë se kemi ecur me marshin e pestë. Fakti që banorët jo vetëm që e presin me entuziazëm, por edhe vetë kontribuojnë, do të thotë që investimi më i madh në këto tre vjet nuk ka qenë llaçi, tullat, asfalti, pemët apo korsitë, por mentaliteti. Kjo është ndoshta historia më e madhe e suksesit të këtyre tre viteve punë në Bashkinë e Tiranës”, tha ai.