Aktori i madh i skenës shqiptare Bujar Asqeriu ka qenë i ftuar sot në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24. Ai ka folur për karrierën e tij, problemet e teatrit dhe debatin e madh me pro dhe kundër për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Asqeriu, i rreshtuar tek zërat kundër këtij vendimi thotë se Teatri Kombëtar është frymë, është shenjtëri dhe nuk mund të prishet, duke e krahasuar me kishat e xhamitë. Ai tregon se karrierën e tij e ka ndërtuar me shumë punë dhe jo duke tundur tesera të partive, shkruan “BalkanWeb”. Aktori fjet për drejtuesit në vite të teatrit ndërsa i drejton një thirrje kryeministrit Edi Rama, tek i cili beson ende se do të kthejë mendje për prishjen e teatrit.
Fillimisht më lejoni t’ju pyes për shfaqjen që keni pikërisht ditën e sotme në natën e tretë në kryeqytet pasi ka pasur një tur në qytete të tjera siç është Durrësi apo Korça, një komedi ndryshe me regji të Driada Dervishit. Si ndiheni zoti Asqeri në këtë shfaqje në 73-vjetorin e teatrit?
“Komedia që shkon për dreq” e ka titullin, një komedi angleze, e cila është shkruar në 2014 pas suksesit të jashtëzakonshëm në Angli u përhap me shpejtësi të madhe në Amerikë dhe Europë dhe sot është një nga komeditë më të suksesshme që shihet në mbarë botën. Ishte gjetja e regjisores Driada Dervishi që e përzgjodhi komedinë dhe vendosi ta vinte në skenë. Me thënë të vërtetën kjo komedi, e quajtur komedi farsë ma vuri në një pozicion të vështirë të interpretimit sepse komeditë farsë përveç improvizimit me rëndësi parësore është plastika, lëvizja. Kjo është në homazh të mjeshtrave të mëdhenj që tronditën botën me talentin e tyre gjenial. Për ne që jemi mësuar në komedi klasike që të operojmë nëpërmjet fjalës e situatës e kishim paksa të vështirë ta kuptonim, pastaj dhe ta realizonim. Kemi bërë përpjekje maksimale, ështën jë punë rreth 3 muaj për të realizuar komedinë.
A mbushet salla e Teatrit Kombëtar për të parë shfaqjen tuaj?
Në dy netët që kanë kaluar salla ka qenë e tejmbushur. Sonte është plot. Më shqetëson fakti që vjen dimri dhe ankohemi për teatrin se është ftohtë, vjen vera ankohemi për sallën se është nxehtë. Prandaj ne këmbëngulim në rikonstruksionin e teatrit. Disa duke u nisur nga e ftohta apo i nxehti thonë hë mo ta rrafshojmë atë teatër. Jo zotëri sepse teatri nuk është beze, nuk është tjegull, nuk është beton, është frymë, është shenjtëri. U prishën kishat e xhamitë por u ndërtuan prapë në ato vende. Pse është shenjtëria e frymës. Nuk mund ta rrafshosh shenjtërinë e frymës. Po e duam një teatër dinjitoz por ruaje kaq histori, 73 vjet.
Kur keni nisur në teatrin kombëtar, kur ka qenë shfaqja juaj e parë, në cilin vit?
Unë kam punuar 18 vjet në teatrin e Vlorës, “Petro Marko”. Kam ardhur nëpër festivale në Tiranë me teatrin tim por tani kam 22-23 vjet në Teatrin Kombëtar si aktor, dhe vepra e parë është “Muzeu” i Kasëm Trebeshinës me regjisor gëzim Kamen në vitin 1998.
Cilat kanë qenë vitet e shkëlqimit për ju?
Në përgjithësi unë quaj vlerë të padiskutueshme komunikimin dhe punën që kam bërë më kolegët e mi në drejtimin e regjisorit apo regjisores. Artistët janë si fëmija, ne e kemi dashur dhe respektuar njeri-tjetrin. Problemi është administrata dhe politika që fut hundët. Futet bytyç dhe krijon pakënaqësira, qejfmbetje, shpeshherë vë gishtin duhet të futet ky në teatër apo ky. Jo në teatër duhet të futen ata që janë të talentuar dhe kemi plot vajza e djem që meritojnë.
Cilat kanë qenë vitet më nostalgjike?|
Për mua çdo ditë e çdo muaj është nostalgjik sepse pavarësisht shumë faktorëve ngaqë e dua këtë profesion punoj me pasion dhe harroj çdo gjë. Qoftë në tavolinë qoftë në mizanskenë më mbulon magjia e këtij arti dhe nuk dua ta di se çfarë ndodh pas shpinës sime.
E keni fjalën për kolegët?
Jo, çdo gjë që mund të krijohet pas shpinës. Unë kam pasur miq të mëdhenj të teatrit. Qoftë me femra e qoftë me meshkuj.
Keni ndërruar dhe shumë drejtorë, një vlerësim?
Për mua ka shumë rëndësi roli i tij për të drejtuar institucionin. Për mua nuk ka rëndësi drejtuesi është artist, menaxher apo politikan por duhet të dojë artin dhe artistët. Nuk e prodhon drejtori artin por artistët. Ai duhet t’i dojë dhe stimulojë këta artistë.