Në muajin e Ramazanit, Bashkia e Tiranës, Fondacioni ALSAR dhe organizata TIKA dhuruan një mijë pako me ushqime për fëmijët pa prindër dhe familjet në nevojë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi ambasadorin e Turqisë,
Murat Ahmet Yörük, si dhe drejtuesit e ALSAR-it dhe TIKA-s, dhe theksoi se Tirana është bërë një qytet më solidar me njerëzit në nevojë.
Kryebashkiaku Veliaj tha se pakot ushqimore janë një ndihmë për njerëzit në nevojë, por sidomos për fëmijët, të cilët duhet të mendojnë për mësimet dhe jo për ushqimin.
“Një paketë ushqimore nuk i zgjidh të gjitha problemet, por sigurisht është e nevojshme kur familjet janë duke kaluar një kohë të vështirë, që fëmijët të mos mendojnë për ushqimin, por si të marrin dhjeta në shkollë, të merren me aktivitet sportiv dhe ndihmon sidomos nënat, për të përballuar barrën më të madhe në familje. Kemi mbi një mijë paketa për fshatrat, ashtu siç do të ketë edhe 3500 pako për gjithë zonën urbane të Tiranës”, tha Veliaj.
Veliaj tha se në çdo mbrëmje të muajit të Ramazanit, Bashkia e Tiranës do të shtrojë vakte për njerëzit në nevojë në të gjitha qendrat e saj sociale.
Në të gjitha mensat tona sociale do të shtrojmë çdo natë iftar për familjet në nevojë, vijoi ai. Veliaj ftoi qytetarët që kanë mundësi ekonomike apo edhe bizneset që duan të shprehin përgjegjësinë e tyre sociale, të dhurojnë diçka për njerëzit në nevojë.
“Dua të ftoj këdo që ka mundësi, që të hapë shtëpinë e tij në muajin e Ramazanit për dikë që është në nevojë. Do të shërbejmë vakte në mensat tona sociale, në shtëpitë e të moshuarve, në shtëpitë e fëmijës dhe kudo tjetër ku ka nevojë”, tha kreu i Bashkisë.