Nga Ben Andoni
Përderisa çdo hap i Shqipërisë drejt integrimit europian konsiderohet dhe vlerësohet tek ne si politik atëherë gjithnjë Shqipëria do të gjendet para këtyre situatave, kur në prag të hapjes së negociatave vendi zhytet në problematika të mëdha e të tepërta.
Kanë mbetur dhe pak javë kur do të vlerësohet realisht raporti i Komisionit Europian, i cili ka rekomanduar hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, veçse jo për Turqinë. Ashtu si e dimë dhe është përsëritur, për Shqipërinë, hapja e negociatave lidhet ngushtësisht me ecurinë dhe performancën e Reformës në Drejtësi, kryesisht procesit të Vetting-ut dhe korrupsionin. Në të treja këto Shqipëria ka probleme dhe rastet “Xhafaj” dhe “Tahiri” nuk janë thjesht rastësore, por pjesë e këtij lidërshipi me probleme.
Ka shenja pozitive pasi Raporti i përgatitur nga Komisioni Europian ka vlerësuar realisht faktin e luftës ndaj kultivimit të drogës në vitin 2017, progresin deri diku në luftën ndaj korrupsionit, vlerësimin për rritjen e ndëshkimeve të zyrtarëve të ulët e të mesëm, reformën e konsideruar si pozitive në administratën publike,…por në fund dokumenti bie dakord për diçka: Është kritikuar rritja e polarizimit politik, e cila tek ne është e tejskajshme.
Kjo e fundit është pikërisht edhe thembra e Akilit të zhvillimeve evropiane shqiptare. Askush nga kampet politike nuk dëshiron që merita, më saktë përkimi me datën e hapjes së negociatave, t’i takojë mandatit të kundërshtarit. Retorika kinse bën që të dyja të jenë të interesuara për integrimin, por aman kurrë partitë shqiptarë nuk u bënë bashkë për këtë qëllim madhor.
Ka një mirëkuptim këtu, pasi është bërë normë në fushatat zgjedhore, të cilat janë aktiviteti kryesor i partive shqiptare, që Kali i Betejës janë njohjet e huaja, hapat e vockla të integrimeve dhe aderimet e vendit. Kjo i “justifikon” shumat marramendëse që harxhohen për fotot me presidentët amerikanë dhe përfshirjen e kompanive të fuqishme lobuese, ashtu dhe fondet që përdoren. Partia Demokratike do ta përdorë gjatë dhe vazhdimisht se ishte pikërisht ajo në fuqi kur u liberalizuan vizat dhe faktin se Shqipëria u anëtarësua në NATO. Një fat që nuk e ka Partia Socialiste, të cilës i duhet medoemos t’i shtojë një sukses ndërkombëtar kohë-mandatit të saj, për ta pasur në fushatën e ardhshme. Ndaj të dyja partitë më shumë sesa konsensus në këto ditë të fundit para verdiktit janë hedhur në sulm të ashpër ndaj njëra-tjetrës për ta bërë udhën e Shqipërisë sa më të vështirë drejt portave evropiane.
Opozita ka pasur të gjithë kohën e duhur, por më saktë akoma ka kohën e mjaftueshme që pas hapjes së negociatave të çelë dhe të kërkojë llogari në çështjet “Xhafa” dhe “Tahiri” ashtu si pozita e ka pasur të gjitha kohën, tagrin për ta bërë vendin sa më të lirë nga droga, krimi dhe korrupsioni. Por, sherri duhet pikërisht tani, sepse nuk duhet që kundërshtari të jetë i pari që do ta tundë flamurin e hapjes së negociatave.