Fatmir Hoxha është anëtari i Gjykatës Kushtetuese, dosja e të cilit u gjykua ditën e sotme pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Vetë gjyqtari nuk ishte i pranishëm në sallë, por avokati përfaqësues i tij arsyetoi pasurinë.
Avokati i Hoxhës është shprehur se shtëpinë e ka bërë me lekë borxh, si dhe me lekët që atij ia kanë hedhur në dasmë, kur është martuar.
Mësohet se anëtari i Gjykatës Kushtetuese, ka vënë në dispozicion videot e dasmës, por kjo provë nuk është marrë parasysh nga trupa gjykuese i Vetting-ut.
“Pretendohet nga KPK për një shumë që nuk justifikohet, por Hoxha ka kërkuar të administrohet kaseta e dasmës, bëhet fjalë për një shumë normale lënë nga të afërmit e tij. Shuma është plotësisht e justifikueshme, zoti Hoxha nga 2011 është emëruar anëtar i Kushtetueses dhe është transferuar nga Shkodra, ka shitur banesën me orendi dhe shuma i përket orendive, dhe vetë shtëpisë”, është shprehur avokati i tij.