Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se Turqia ka arritur të sjellë në vend 80 pjesëtarë të organizatës terroriste FETO, të cilët kanë qëndruar jashtë vendit.
“Do t’i ndjekim edhe tjerët”, tha Erdoğan, duke shprehur bindjen për sjelljen në Turqi edhe të liderit të FETO-s, Fetullah Gylen. “Ti, që aktualisht ndodhesh në Pennsylvania, do të vish gjithashtu”, shtoi më tej presidenti turk.
Javën e kaluar, zyrtarët e inteligjencës turke, sollën në Turqi tre pjesëtarë të lartë të FETO-s, të cilët ishin kapur gjatë një operacioni anti-terrorist në Gabon të Afrikës, ndërsa gjatë muajit mars, nga Kosova në Turqi u dërguan edhe gjashtë pjesëtarë të lartë të FETO-s, të cilat u kapën pas një operacioni të Agjencisë Kombëtare Turke të Inteligjencës (MIT) në bashkëpunim me inteligjencën kosovare.
Ata ishin përgjegjës për nxjerrjen nga Turqia të pjesëtarëve të mbetur të FETO-s, për t’i dërguar në Europë dhe SHBA.