Në kujtim të Elham Elezi, oficerit të RENEA-s, i cili humbi jetën në moshën 29-vjeçare në vitin 1998, gjatë një operaconi pengmarrjeje, punonjësit e policisë së Tiranës kanë dhuruar plot 140 pemë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se sot detyra e çdo qytetari është të përkujdeset për qytetin ku punon dhe jeton.
“I falenderoj shumë miqtë dhe familjen e dëshmorit të policisë, Elham Elezi. Në një moshë shumë të re dhe në vite shumë të vështira për Shqipërinë, ai dha jetën për vendin. Sot, teksa flasim për patriotizëm, unë besoj se mënyra se si familja e tij dhe miqtë e tij e përkujtojnë atë është një formë tjetër patriotizmi; sot është e nevojshme ta duam qytetin, ta mbajmë pastër dhe të përkujtojmë të dashurit tanë, me një stol, me një pemë”, tha Veliaj.
Babai i Elham Elezit, efektivit të RENEA-s që ra në krye të detyrës në Tiranë, i falënderoi mes emocioneve punonjësit e policisë që kontribuan për përkujtimin e të birit dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për sigurinë e qytetarëve, me mbjelljen e pemëve në Parkun e Liqenit.