23 të arrestuarit pas protestës së dhunshme në Kukës për tarifën e Rrugës së Kombit janë dërguar në Gjykatën e Tiranës. Forca të shumta policie janë rreshtuar para Gjykatës për të parandaluar ndonjë tension të mundshëm.
Masa e sigurisë për 23 të ndaluarit që akuzohen nga Prokuroria e Kukësit si përgjegjës për dhunën në protestën e organizuar të shtunën në ‘Rrugën e Kombit’ kundër taksës për mjetet qe kalojnë në këtë aks rrugor pritet të jepet sot në Gjykatën e Tiranës rreth orës 09.00
Gjithashtu është ndaluar qarkullimi rrugor në atë aks, duke vështirësuar edhe rrugën për shkollë të nxënësve të “Pjetër Budit”.
Burime nga Gjykata e Kukësit bënë me dije për “BalkanWeb” se shkak i transferimit të çështjes në kryeqytet është mungesa e kapaciteteve në Gjykatën e Kukësit.
“BalkanWeb” mësoi se dosja e personave të arrestuar ka mbërritur pranë Gjykatës që dy ditë më parë. Ndërkohë, 13 persona janë shpallur në kërkim.
Dhjetra qytetarë protestuan ditën e shtunë në shenjë kundërshtie për taksën prej 10 euro (vajtje-ardhje) që do të aplikohet në Rrugën e Kombit. Por gjatë protestës situata degjeneroi në konfrontime fizike me policinë.
Qytetarët hodhën gurë dhe nisën të shkatërronin pajisjet e koncensionarit, ndërsa policia iu përgjigj me gaz lotsjellës. Ndërkohë shumë prej protestuesve pretendojnë se janë dhunuar nga policia.