Ministri i Drejtësisë: Janë 23 ha tokë bujqësore në dispozicion për të kthyer pronarëve si dhe 24 milionë dollarëve për kompensim
Nis nesër më datë 24 mars kthimi fizik i pronës aty ku prona është e lirë. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, tha se po nesër nis edhe kompensimi i pronarëve me fondin e 24 milionë dollarëve. Qeveria ka në dispozicion edhe 23 mijë ha tokë bujqësore me të cilat do të bëhet kompensim fizik për ata që e kanë të zënë tokën.
“Që nesër në orën 08:00 kur të fillojë punën Agjencia e re e trajtimit të pronës fillon menjëherë kthimi fizik i pronës. Për të gjithë ata që kanë pasur pyetje apo shqetësime të ngritura nga debati politik i pavënd, që nesër fillon kthimi fizik. Ku është prona e lirë ajo kthehet. Që nesër fillojnë të zbatohen me përparësi 24 milion dollarët e parë si fond për kompensimin e pronave të pronarëve.
Që nesër është gati lëvrimi. Së treti, janë 26 mijë vendime qytetarë, pronarë të Shqipërisë që janë dhënë deri më sot nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave por që askush nuk ka çarë kokën se çfarë duhet të bëjë me të. Që nesër këto vendime fillojnë të vlerësohen dhe do të kenë një çmim. Për këtë gjë do të informohen publikisht dhe individualisht të gjithë poseduesit e këtyre vendimeve. Që nesër 23 mijë hektarë tokë bujqësore të gatshme për tu vënë në dispozicion si fond kompensimi fizik për të gjithë ata pronarë, toka e të cilëve është e zënë dhe shteti dhe ligji u ka borxh tu japë diçka”, tha Manjani.
Kthimi dhe kompensimi i pronave realizohet përmes një ligji të ri për pronat i miratuar nga mazhoranca pak muaj më parë. Ligji i qeverisë është kundërshtuar nga opozita , presidenti si dhe ish-pronarët.