Nga Frrok Çupi
Luftërat e armatosura po shkojnë drejt fundit, ndërkohë që lufta më e madhe e epokave po thuhet se pritet të nisë.
Duket si një magji, por në fakt kështu po ngjan. Teoricienët e luftës po predikojnë se reagimi i Rusisë ndaj ‘rrethimit’ diplomatik të botës ndaj saj, do të jetë i ashpër. Por edhe bota e qytetëruar, e kryesuar nga Shtetet e Bashkuara, do të jenë të decizive kundër ‘Rusisë Revolucionare’ përballë botës.
Orët në të cilat Kremlini lëshon sinjale se po bëhet gati për një ‘luftë më të tmerrshme’ se Lufta e Ftohtë, pikërisht në ato orë, një tren gri gati i padukshëm, u kap nga radarët tek po ushtonte nga Pheniani drejt Pekinit. Kim Jong-un, ‘njeriu raketë’ i Koresë së Veriut po udhëtonte për herë të parë jashtë vendit, drejt presidentit Xi për të dorëzuar ‘Kutinë bërthamore’. Data për takimin me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump po afron, dhe presidenti i shtetit komunist të nuklearizuar deri në dhëmbë do të lëshojë armët!. Këtë akt final kulmor ia besoi aleatit më të madh në Pekin- një kryeqytet magjik në hundë të Moskës.
Lufta do të jetë e paarmatosur. Ky është sinjali që vjen nga vendi me rrezikun më nervoz nuklear…
Po cila është kjo luftë e paparë deri më sot!? Edhe ‘më e egër’ se Lufta e Ftohtë, por as luftë e nxehtë?
Lufta për territore gjeografike.
Ligjësia e përjetshme e luftës është e pranishme edhe në këtë që tashmë ka nisur. Rusia po shtyn me bërryla muskulozë hapësirat e NATO-s. Edhe pse në vitin 2015 Turqia rrëzoi një avion Rus, jo si Turqi, por si ‘anëtar i NATO-s”, sot Moska po tenton ta ketë aleat regjimin e ‘sulltanatit’ Erdogan. I bashkon autokratizmi politik, sensi revolucionar kundër Perëndimit; dhe mbi të gjitha taktika e Rusisë për të vënë nën mëngë një shtet anëtar të NATO-s… Si me këtë rast, Rusia po kërcënon të gjithë shtetet fqinjë që të mos pranohen në NATO. ‘North Atlantic Treaty Organization’ që ditën e parë, 4 prill 1949, ka qenë urrejtja dhe objektivi vdekës i Moskës. Sot përsëri Rusia ndodhet në të njëjtën pikë: Ti marrë gjeografi Organizatës së Traktatit të Veriut; ose të mos lejojë më anëtarë që të pranohen. Debati i stralodhur që po zhvillohet në Tiranë, nëse Rusia ka influenca ose jo në vendin tonë, ka prodhuar sa syleshllëk aq edhe qëllim të keq për të fshehur realitetin. Kushdo që di dy gjëra në këtë botë moderne, bën pyetjen e thjeshtë: A jemi anëtar në NATO? Atëherë si nuk qenkemi të synuar nga Rusia?!
Lufta për qeverisje të keqe.
Rusia, nga ku mendohet se gjeneron konflikti, nuk ka më as më të voglën ngjashmëri me Leninin që tentonte ta mbulonte botën me ideologjinë e tij. Jo, tani është zbrazur tërësisht ideologjia; as Soros nuk ka ideologji. Qeverisjet e këqija, cinike, anti-popullore dhe anti-humane, perverse, demagogjike, kriminale dhe të korruptuara- këto janë ‘bomba atomike’ e kohës. Nëse multimiliarderi Soros arriti deri në pikën që të përdorë fondet e taksapaguesve Amerikanë për të ndërtuar qeveri të këqija në Lindje- kjo do të thotë se një Amerikan veproi kundër Amerikës. Interesat amerikane edhe në rajon janë ruajtja e hapësirave Euro- atlantike, kufizimi i Rusisë në territoret e veta, sigurimi i zonave të NATO-s. Gjermania- aleate e Amerikës dhe e vendeve të Europës, kur doli nga kthetrat e Rusisë, u duk se u shemb bota e stepave dhe më gjerë. Ëndrra për t’u shtrirë deri aty ku ishte- mbetet papushim nën jastëkun e Putinit Rus. Qeveritë e këqija, si këto në Ballkan, ku kanë më shumë vlerë diskutimet mbi të drejtat e LGBT, më shumë peshë gjuetia e kundërshtarëve, më shumë vlerë mungesa e vlerës së politikës- se sa vetë NATO dhe Amerika- këto janë ‘Kali i Trojës’ për të shkatërruar qytetërimin ‘pa armë’.