Policia ka arrestuar sot vrasësin e biznesmenit Memli Begalla 64-vjeç nga Tepelena dhe bashkëpunëtorin e tij.
Të arrestuar nga policia janë: Denis Demiri, i cili akuzohet se ekzekutoi sipërmarrësin, ndërsa Ardian Serezi është i arrestuari i dytë si bashkëpunëtor në vrasje.
Dyshohet se pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e borxheve që nuk kishte shlyer viktima.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet me targa të huaja, me të cilin autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu, është sekuestruar një automjet në pronësi të shtetasit Denis Demiri, si dhe 9 telefona celularë.
Vrasësit u identifikuan, pasi kamerat i kanë kapur, kur kanë hipur në një makinë tip BMW të zezë pas vrasjes. Makina ishte me targa të huaja, por është identifikuar nga policia, e cila ka arritur te gjurmët e autorëve.