Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e cilëson të një rëndësie të veçantë aktin e dhënies të plotfuqisë së kreut të shtetit për negociata me Greqinë. Sipas tij, plotfuqia nuk është një akt formal, por një proces ku presidenti duhet të përfshihet me të gjitha mekanizmat e tij.
Në një intervistë për “Panorama”, ish-Presidenti Topi shprehet i pakënaqur nga Kryeministri Rama, i cili në 2015- n kishte premtuar ndryshim të ligjit zgjedhor që të mos penalizoheshin partitë e vogla, ndërsa asgjë nuk ka ndryshuar dhe në sintoni me PD-në, sipas tij, po ruajnë sistemin dypartiak.
Mendoni se Presidenti Meta duhet të ketë përfaqësuesin e vet në negociatat, që do të zhvillohen me palën greke për përcaktimin e kufirit detar, që t’i monitorojë ato hap pas hapi dhe a duhet që ai të japë një aprovim final të marrëveshjes së arritur?
Presidenti, dhënien e plotfuqishmërisë nuk e ka një akt thjesht formal. Kjo hallkë është vendosur në Kushtetutë, sepse grupi negociator nuk mund të shkojë mbi bazën e strukturës që në negociata merr pjesë një punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes, apo Ministrisë së Brendshme e kështu me radhë. Jo! Nevojitet një listë nominale, sepse presidenti ka instrumentet institucionale të supervizionit, cili është profili i negociatorëve, cila është pjesa e kredibilitetit për këtë proces dhe, në fund, pasi bindet për këtë ekip, bën dhënien zyrtare të plotfuqisë së tij. Që nga ky moment, grupi negociator është i lirë të veprojë brenda kornizave dhe termave të referencës. Unë kam sugjeruar dhe besoj se të njëjtin mendim kishin dhe presidentët e tjerë të nderuar, dhe zoti Meta se duhet patjetër hap pas hapi të futet në lojë detyrimisht Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme dhe i Sigurisë Kombëtare. Kjo e bën procesin më të monitorueshëm dhe të kontrollueshëm, sepse marrëveshja lidhet me çështjen e sovranitetit të vendit dhe për të eliminuar çdo lloj paragjykimi që ka në publik.
Nga vjen kjo ndjenjë e theksuar paragjykimi?
Paragjykimi apo skepticizmi në marrëveshje të tilla vjen nga mungesa e informacionit. Ky është defekti më i madh i politikës sonë. Në 2009-n kishim mungesë të theksuar transparence, na u dha si fakt i kryer, por edhe sot ka mungesë transparence dhe informacioni. Kjo sjell keqkuptime kur informacionin, që duhet ta marrësh nga zyrtari yt politik, e merr nga zyrtari i vendit fqinj, i cili për njëmijë arsye mund të mos e ketë të saktë ose e përdor për qëllime të brendshme politike. Por hija e dyshimit është hedhur. Unë nuk mund t’i marr si të vërteta të plota deklaratat e ministrit të Jashtëm grek. Negociatat nuk kanë pozicione statike, hidhen deklarata, shihet si do reagojë publiku apo pala tjetër, korrekton qëndrimet e tua etj., etj. dhe secili punon për interesat e vendit të tij. Por mënyra se si u bë marrëveshja e 2009-s, e detyron qeverinë shqiptare të jetë transparente për të zhdukur çdo paragjykim. Këto janë marrëveshje të një rëndësie të jashtëzakonshme, se efekti i tyre mund të jetë me shekuj dhe askush nuk duhet të marrë rolin e protagonistit, sepse nuk lidhet me një mandat.
Mundet Presidenti të mos e japë plotfuqinë e tij për grupin negociator?
Do të ishte gabim që unë të flisja se çfarë do të bëjë Presidenti Meta. Por gjithmonë një veprim kushtetues në dorën e Presidentit ka një vendimmarrje, Po ose Jo. Por ky është një proces për të cilin unë nuk shoh arsye që të ketë Jo nga ana e Presidentit.
Presidenti duhet të jetë ai, që duhet të certifikojë në fund këtë marrëveshje?
Presidenti i Republikës, përcaktuar nga Kushtetuta, i ka të gjitha mekanizmat për ta monitoruar procesin. Në fund fare ai ka Këshillin e Sigurisë Kombëtare ku Kryeministri dhe ministrat që kanë lidhje me këtë marrëveshje, mund të raportojnë para Presidentit.
Si ka shkuar bashkëpunimi juaj me Kryeministrin Rama, a jeni i kënaqur nga qeverisja dhe politikat që ai po ndjek?
Ne, marrëdhënien me zotin Rama e kemi pasur ekskluzivisht për pushtetin lokal në 2015-n. Unë kam një pakënaqësi të theksuar me zotin Rama dhe kjo nuk është në aspektin personal, nuk është për problemet e qeverisjes, sepse aty mund të flasim gjerë e gjatë për të analizuar se ku po punon mirë dhe se ku po gabon. Dhe kjo është një çështje e përgjegjësisë së tij, që ai e ka marrë para publikut dhe elektoratit. Pakënaqësia ime është se ne arritëm një akord publik për të korrektuar ligjin zgjedhor. Zoti Rama e pranoi këtë si një angazhim publik para zgjedhjeve vendore të 2015-s për të rregulluar ligjin zgjedhor për zgjedhjet e vitit 2017.
E kam thënë, që ligji zgjedhor dhe zgjedhjet janë fondamentale për demokracinë tonë, ne nuk do të kemi institucione të besueshme dhe të forta, nëse nuk ndërtojmë institucionin e votës së lirë ku të gjithë të përfaqësohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Ne kemi pasur disa pika të deklaruara për këtë çështje. Komisionet e administrimit të votës, duke filluar nga KQZ-ja nuk mund të jenë më politike. Këtu fillon procesi i paragjykuar dhe i deformuar. Dy partitë e mëdha kanë rënë dakord që të ndërtojnë një sistem bipolar, që nuk i përshtatet Shqipërisë, kanë përjashtuar partitë dhe alternativat e tjera. Kemi kërkuar të rregullohen çështjet e financimit të fushatës dhe të transparencës financiare. Por dhe sistemi është defektoz. Ne kemi marrë 30 mijë vota në zgjedhjet parlamentare në rang vendi dhe nuk përfaqësohemi në Kuvend.
Kur flasim për mbështetjen e një alternative, jo domosdoshmërish kjo mbështetje s’do të jetë brenda një qarku. Çdo votë që një parti merr, duhet të respektohet dhe llogaritet dhe jo të hidhet në kosh. Ajo, pse unë jam i pakënaqur, është fakti se zoti Rama i pranoi këto defekte të ligjit zgjedhor, por sot shoh që ka një shmangie të zotit Rama përmes njerëzve të tij në komisionet parlamentare të reformës zgjedhore dhe shoh një lloj simbioze dhe një sintoni të fortë me përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Ata mund të kacafyten mes tyre ditë dhe natë dhe kur vjen puna tek interesi i reformës zgjedhore janë një zë. Sepse ka një klauzolë, që PS dhe PD mund të përdorin mekanizmin e vetos, për ta kontestuar. Por fakti është se publikisht ato kanë pranuar nevojën për ta ndryshuar këtë ligj.
Ndërsa fakti që sot zoti Rama kërkon të ruajë një lloj status quoje, sepse është në pushtet, unë nuk mund ta kuptoj logjikën e opozitës, e cila vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim. Por, mesa duket, halli nuk është nëse fiton zgjedhjet zoti Rama apo jo, halli është që pjesa e opozitës mendon më shumë se si të jetë e para në opozitë, sesa të krijojë të gjithë kohezionin e nevojshëm për të marrë pushtetin. Opozita luan në pritje dhe nuk lufton për ta marrë pushtetin, por tentohet të zbresë kredibiliteti i atyre që qeverisin, me qëllim që në mënyrë pasive të të vijë radha ty. Kjo është totalisht jo moderne në politikë dhe kjo është arsyeja pse vazhdon të ketë një rënie të ndjeshme të besimit të njerëzve tek opozita, sepse nuk po sillet si opozitë.