Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, njëherësh edhe zëvendëskryeministër, Behgjet Pacolli ka njoftuar se Barbados ka njohur tashmë pavarësinë e Kosovës.
Këtë vendim, Pacolli e ka vlerësuar si një dhuratë të çmueshme në prag të kremtimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë.
“Shumë i kënaqur të njoftoj se Barbados ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Faleminderit kolegut tim Maxine McClean për këtë vendim të marrë në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Nuk ka mënyrë më të mirë për të festuar # Kosova10!”, ka shkruar Pacolli.
Ndërkohë në Facebook ai ka publikuar edhe letrën që Ministria e Jashtme e Kosovës ka marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme e Barbadosit.