Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së, ka dhënë një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve, HINA, gjatë vizitës zyrtare në Kroaci, ku ka folur për dialogun me Serbinë, Gjykatën Speciale, Ushtrinë e vrasjen e Ivanoviçit.
I pari i Kuvendit është pyetur nga gazetarët kroatë, për mundësinë që Specialja t’i akuzojë ish-komandantët e UÇK-së që tani janë liderët e Kosovës.
Duke folur për dialogun në Bruksel, Veseli është zotuar edhe për formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe. “Dhe ne kemi vështirësitë tona por jemi të gatshëm për t’i kapërcyer. E respektojmë Serbinë si shtet sovran, dhe jemi të vendosur që qytetarët tonë të çdo komuniteti të jenë të integruar në çdo kuptim”, thotë tutje kryeparlamentari. Veseli në këtë intervistë për agjencinë e lajmeve në Kroaci “Hina” ka folur edhe për Ushtrinë. Sipas tij formimi i Ushtrisë për një shtet të pavarur është i pashmangshëm. “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe transformimi në forcat e armatosura është proces i pashmangshëm”, ka thënë Veseli.
Ai pohon se ushtria e Kosovës nuk do të jetë kërcënim për askënd, dhe do të kontribuojë në stabilitetin e gjithë Kosovës, transmeton lajmi.net. Veseli thekson se të gjitha veprimet do të merren në koordinim me mbështetjen e Amerikës dhe të NATO-s. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli thotë që vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanvoiq ishte “llogari e brendshme serbe”. “Ky ishte një akt kriminal kundër stabilitetit të Kosovës, pavarësisht se kush e ka kryer. Kjo është hera e parë që situata shkakton terror psikologjik të serbëve. Unë nuk paragjykoj se kush është përgjegjës, por kjo nuk është në interes të shqiptarëve dhe serbëve”, shtoi kryetari i PDK-së. Veseli ka premtuar se Kosova do t’i sjellë para drejtësisë kryesit e kësaj vepre.
http://www.balkanweb.com/site/kadri-veseli-per-mediat-kroate-serbia-duhet-ta-njohe-kosoven/