Nga Bujar Hoxha
Daniela, e vogla vajzë nga Kukësi, është fenomeni më i fundit televiziv. Gjithçka e saj, nga zëri i ëmbël, jeta që e rrethon, pasioni me të cilin flet për familjen e vet, kanë bërë që projektorët të kthehen nga ajo ditët e fundit.
E mira kuksiane nuk është spitullaqe, as është e armatosur me teknologjinë ndër duar, telefonin, kompjuterin…
Daniela është një copëz e vërtetë jete e mbetur pezull në këtë qytetërim që lëngon…
Falënderon Zotin, u është mirënjohës prindërve…
Nuk jeton në vilat përreth Tiranës, nuk shkon një e dy në qendrat tregtare për të psonisur, nuk ushqehet me patatina…
Nuk i ka prindërit të kollarisur, as me makinë të shtrenjtë…
Megjithatë është e aftë të tërheqë vëmendjen dhe të ndiqet në televizion edhe kur nuk këndon. E dalluar në një garë muzikore televizive, Daniela të lë pa mend dhe kur flet.
Ajo kërkon të argëtohet, nuk ka synim të vërë poshtë rivalin në skenë. Ndër dëshirat e saj është përmirësimi shëndetësor i vëllait të vogël…
Nuk qan për lodrat e pablera, ndonëse ka moshën për to… Lotët i derdhen për kecat e ngordhur…
Nuk kërkon të bëhet juriste, sociologe, psikologe, feministe… Jo, ka në ëndërr veterinarinë. Të bëhet veterinere, që kecat të mos i ngordhin më e, kështu, të mos qajë më…
Asaj i pëlqen jeta origjinale, ashtu siç e jeton, mes bagëtive, mes familjes së madhe, duke zhveshur misrin, duke ndihmuar të ëmën e të atin…
Në jetën e saj origjinale nuk ka vend për pispillosje… I mjafton ajo që ka! Eshtë shend e verë për atë që i ka dhënë Zoti, edhe kur përlotet për kecat, për të vëllanë…
Ç’botëkuptim i shkëlqyer!
Koncepti i saj mbi jetën të bën të skuqesh, të bën me turp, teksa e ndjek ndërsa ajo flet…
Ti zhytur në kolltuk para ekranit, në jetën tënde të getoizuar urbane, pushtuar nga pikëpyetjet mbi “demokracinë, liberalizmin, neoliberalizmin, modernizmin, postmodernizmin, të drejtat universale, laicizmin…” Daniela duke të dhënë mësim për jetën e vërtetë. Ashtu thjesht, në natyrshmërinë e saj, për të mos i ikur natyrshmërisë së jetës… Duke qarë për kecat…
Për të mirën e saj në jetë, dua që Daniela të mos e fitojë garën televizive të këngës. Që nesër të vazhdojë të qajë për kecat, e jo për luksin e metropolit… Që nesër të vazhdojë ta falënderojë Zotin… Që nesër të vazhdojë t’i shohë prindërit me mirënjohje…
Lutju Zotit, e vogla Danielë, të të lërë në qoshen tënde të lumtur, e të mos bëhesh pre e ingranazhit të jetës shpirtvrasëse urbane…
Që nesër të të këndojë zemra, e të qash për kecat...