Ilir Meta është ngjitur në një foltore ë Kongresit të Partisë Socialiste pas 12 vitesh që pikërisht nga një kongres socialist ai deklaroi ndarjen dhe largimin nga kjo parti. Taulant Balla duke e ftuar në foltore e cilësoi Metën “një socialist të orëve të para. “Me të cilin jemi ndarë dhe jemi rigjetur sërish dhe jemi bashkuar një herë e mirë besoj, Kryetarin e LSI-së dhe bashkëkryetarin e aleancës qeverisëse, shokun tonë të vjetër Ilir Meta”, shtoi Balla.
Meta foli për arritjet e aleancës mes LSI-së dhe PS-së duke e cilësuar të suksesshme. Ai theksoi se vetëm të bashkuar të majtët mund të fitojnë dhe të ecin përpara.
“Në këto tre vjet kjo aleancë ka arritur dy fitore bindëse duke konfirmuar një të vërtetë historike që kur e majta është e bashkuar fiton bindshëm. Por kaq nuk mjafton sepse fitorja nuk është qëllim në vetvete. Por ju keni mjaft arsye për të qenë krenar sot, për arritjet e këtyre tri viteve. Jemi në momentin për të rëndësishëm për kryerjen e kryereformës, asaj në drejtësi, për të garantuar të gjitha reformat e tjera.
Besoj se duke realizuar këtë reformë do të japim një mesazh të rëndësishëm për qytetarët dhe partnerët tanë që ka të bëjë me forcimin e shtetit ligjor, luftës kundër krimit e korrupsionit, me shërbimin e shpejtë ndaj qytetarëve, dhe me rritjen e besimit të investitorëve në mënyrë që të ketë rritje ekonomike më të lartë”, tha ndër të tjera Meta.