Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, foli për situatën e ekipit dhe merkaton, në hyrje dhe në dalje tek klubi i kuq. Ai u shpreh se në Vlorë ekipi zbatoi shumë mirë detyrat e trajnerit, por u mund vetëm në fund prej një penalltie. Për rastin e Filit, Rama u shpreh se lojtari është pjesë e Partizanit, por në klub po mendojnë mundësinë e huazimit, që lojtari të luajë më shumë minuta.
Ekipi e ka filluar me një humbje
Ekipi e filloi me një humbje, falë një penalltie në minutën e fundit të shtesës, ndërsa për 94 minuta zbatoi shumë saktë detyrat taktike të trajnerit, kjo është më e rëndësishme për ne në këtë fazë, duke marrë parasysh që ekipi luajti me mungesa.
Ka përfunduar merkato për sa i përket afrimeve?
Merkato ka përfunduar. Jemi të kënaqur me elementet që kemi afruar në ekip. Kemi rritur cilësitë teknike dhe fizike të skuadrës, dhe kemi goditur aty ku mendojmë që ishte më e nevojshme.
Ka edhe largime, rasti i Filit i pakënaqur.
Është mirë kur në ekip ka konkurencë. Fili është lojtar i Partizanit. Kemi folur me menaxherin e tij që lojtari të aktivizohet dhe të fitojë besimin tek cilësitë e veta. Ai është pjesë e Partizanit, por kemi parë mundësinë që të huazohet për të luajtur më shumë minuta. Do bisedojmë ende. Tek Partizani do rrinë lojtarët vetëm ata që kanë dëshirë të japin për këtë fanellë. Fanella e Partizanit është e nderuar dhe e respektuar, dhe e meriton që t’i kthehet respekti prej lojtarëve. Ne kemi afruar lojtarë përgjatë merkatos , normal që një lojtar si Fili ndihet disi në trysni , por është zgjedhja teknike e trainerit se cilët lojtar do të aktivizoj në fushë.
Qarkullojnë lajme se Starova nuk do jetë trajner deri në fund të sezonit…
I lexova këto lajme, nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me këtë gjë.