Ambientet 100% pa duhan janë mënyra e vetme për të mbrojtur shëndetin e njerëzve nga rreziqet e duhanpirjes pasive.
Tymi i duhanit përmban mbi 4.000 kimikate, nga të cilat rreth 50 janë substanca kancerogjene. Ai është i dëmshëm si për duhanpirësit edhe për jo-duhanpirësit ose për duhanpirësit pasivë.
Ajo përkeqëson gjendjen shëndetësore ekzistuese dhe krijon gjendje të re shëndetësore.
Substancat që çlirohen nga tymi i duhanit shkaktojnë kancer ose ndihmojnë në zhvillimin e kancerit:
Rritin rrezikun e zhvillimit të kancerit të mushkërive me 25%–30%;
Ndihmojnë në zhvillimin e kancereve të tjera, si: kancerit të gjirit, laringut;
Rrit me 50% rrezikun për sëmundje të zemrës;
Dyfishon rrezikun e aksidenteve vaskulare.
Duhanpirja pasive te gratë shtatzëna ka efekte mutagjenike, sepse të gjitha substancat toksike kalojnë te fëmija përmes placentës; rrit shtrimet në spital të nënës, lindjet e parakohshme ose lindjet e fëmijëve me peshë të vogël.
Duhanpirja pasive ka mjaft efekte negative në shëndetin e fëmijëve, që lidhen si me duhanpirjen pasive para lindjes, ashtu edhe mbas lindjes:
Rrit frekuencën e infeksioneve të veshit, hundës, fytit;
Rrit rrezikun për kriza të astmës dhe të infeksioneve respiratore si pneumonia;
Shkakton reduktim të rëndësishëm në zhvillimin e mushkërive;
Rrit rrezikun e vdekjes së papritur të foshnjave (vdekje në krevat);
Këta fëmijë janë më të prirur të kenë probleme me të mësuarin.