Pas mandatit të Kokëdhimës, shqyrtohet kërkesa e dytë e PD për mandatet
E lënë pezull një javë më parë, sot kërkesa e PD, për të dërguar në Kushtetuese edhe mandatin e deputetit socialist Rakip Suli, do të votohet në seancën plenare të Kuvendit. Ashtu si në rastin e Koco Kokëdhimës, PD pretendon se edhe Sulit, i duhet hequr mandati, pasi ka përfituar nga tenderat publikë, sa kohë që ishte në ushtrimin e funksionit të deputetit. Por ndërkohë që votohen kërkesat e saj Partia Demokratike vijon të ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin. PD kërkon që mazhoranca të reflektojë për çështje të tilla si: zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, funksionimi i komisioneve hetimore dhe mbarimi i mandateve të deputetëve që sipas opozitës kanë shkelur ligjet.