Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mblidhet në një sesion të rrallë emergjence nesër për të shqyrtuar një rezolutë që hedh poshtë njohjen e Jeruzalemit nga Shtetet e Bashkuara si kryeqytet i Izraelit.
I dërguari palestinez në Kombet e Bashkuara kërkoi takimin në të cilin delegatët do të shqyrtojnë të njëjtën projekt-rezolutë të paraqitur nga Egjipti të cilës Shtetet e Bashkuara i vunë veton në Këshillin e Sigurimit të hënën.
“Kur amerikanët shohin se një grup vendesh, kontributi total i të cilave ndaj popullit palestinez është më pak se një përqind të buxhetit për punë dhe shpëtim (UNRWA) – kur i shohin këto vende të akuzojnë Shtetet e Bashkuara se nuk janë të angazhuara sa duhet për paqen – populli amerikan e humbet durimin”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley.
Rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme nuk është e detyrueshme por një votë pro apo kundër mund të ketë shumë pasoja politike.
Izraeli e ka konsideruar gjithmonë Jeruzalemin si kryeqytetin e tij. Por palestinezët kërkojnë që Jeruzalemi lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm dhe thonë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një partner i besueshëm në procesin e paqes.
“Fatkeqësisht, Shtetet e Bashkuara në vend që të ishin neutrale dhe të luanin një rol të efektshëm mes nesh dhe izraelitëve, vendosën të bëhen më izraelitë se vetë izraelitët. Dhe kjo është arsyeja që ata zgjodhën të humbasin statusin e ndërmjetësit mes nesh dhe izraelitëve. Ata janë tani totalisht në anën e Izraelit. Nuk mund të jesh në anën e Izraelit dhe të pretendosh se ne ndërmjetës”, tha Riyad Mansour, ambasador i palestinezëve në Kombet e Bashkuara.
Administrata e presidentit Trump thotë se është e angazhuar për zgjidhjen me dy shtete në Lindjen e Mesme dhe se vendi i ambasadës amerikane nuk duhet të ketë ndikim në bisedimet.