Katër ditë e rrethuar nga uji, kisha 1200-vjeçare e Gjon Pagëzorit në Derven të Krujës është shkatërrua totalisht.
Pasuri e kësaj kishe ishin mozaikët dhe muret e saj. U kishin mbijetuar shekujve. Edhe pse dy vjet më parë
Report TV ka raportuar lënien në harresë të këtij monumenti nga institucionet, asnjë nuk e parandaloi rrënimin total.
Ka qenë arkeologu Skënder Muçaj që në një intervistë për Report TV që i bëri apel Ministrisë së Kulturës ta mbronte dhe ta konservonin këtë vepër të trashëgimisë.
“Historia e kishës së Dervenit, Shën Gjon Pagëzorit është paksa e komplikuar më së shumti për neglizhencë të institucioneve përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, se sa për personat që ishin jashtë këtyre institucioneve”, u shpreh Muçaj.
Monumenti u zbulua më 3 dhjetor të vitit 2006. Një grup punëtoresh teksa hapte themelet për ndërtimin e një kishe të re hasi në një mur të vjetër me mozaikun e rrallë të Shën Gjon Pagëzorit. U njoftuan drejtuesit e Kishës dhe Instituti i Arkeologjisë. U zbulua se bëhej fjalë për një vend antik kulti dhe për një vepër të veçante me vlera të mëdha arkitekturore e artistike. Muret ishin të suvatuara. Rezultoi se kisha ishte 1200-vjeçare dhe i përkiste Shën Gjon Pagëzorit.
Kisha ishte e përmbytur gjatë shekujve, por toka e ruajti për mrekulli. Pas rizbulimit, shkatërrimi total i saj është një dëm kombëtar që nuk justifikon asnjë institucion, as Ministrinë e Kulturës, as Institutin e Arkeologjisë dhe as drejtuesit e Kishës së re, vetëm 2 metra larg saj, që i vunë emrin e Shën Gjon Pagëzorit.
http://shqiptarja.com/news.php?id_legami=259378