U nisën për të riparuar një defekt tek nënstacioni Shkodër 1 dhe përfunduan të plagosur.
Tre elektriçistë, në punë e sipër për të rikthyer dritat në zonë, ranë në kontakt me energjinë elektrike.
Më pas në transformator pati një shpërthim, i cili u shkaktoi djegie të rënda punonjësve të OSHEE.
Ndihmën e parë e morën në spitalin e Shkodrës. Elektriçistët Afrim Halluni dhe Erjon Hafizi, në gjendje më kritike, u dërguan në Tiranë, ndërsa i treti, Anton Berisha është nën kujdesin e bluzave të bardha në Shkodër.
Më herët, një elektriçist humbi jetën duke punuar në një shtyllë elektrike. Ngjarja ndodhi pasditen e së enjtes në fshatin Kurjan të Fierit.
Policia lokale bëri me dije se 50 – vjeçari Sabri Vringa ra në kontakt me energjinë teksa po punonte në një shtyllë elektrike.
Defekti ishte shkaktuar nga moti i keq në Fier.