Ministri turk fton kryeparlamentarin Meta për vizitë në Turqi
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka pritur sot delegacion turk, të kryesuar nga Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ahmet Gundogdu. Delegacioni turk është në vendin tonë në kuadër të simpoziumit dyditor për Mehmet Akif Ersoit, personalitetit me origjinë shqiptare, krijues i himnit të Turqisë. Në takim Meta dhe Gundogdu e vunë theksin në forcimin e marrëdhënieve në fusha të rëndësishme si ekonomi, shëndetësia, kultura, arsimi, etj. Në emër të Kryetarit të Parlamentit Turk, Gundogdu e ftoi Metën për vizitë në Turqi, ftesë që u mirëprit nga Kreu i Kuvendit.
Pas takimit, Meta dhe Gundogu thanë për mediat:
Gundogdu: ” Kjo është një vizitë që bëhet për të forcuar marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve tona. Vëllazëria forcohet duke vizituar njëri-tjetrin dhe delegacioni i fundit i shtetit tonë ka qenë Kryetari i Parlamentit të Turqisë që ka vizituar Shqipërisë, dhe tani e ftuam z. Ilir Meta që të vizitojë shtetin tonë. Dëshirojmë që të gjitha marrëdhëniet tona ekonomike, sociale, politike, arsimore të forcohen, por aq më tepër marrëdhëniet midis dy parlamenteve tona të forcohen sa më shumë”.
Meta: “Pranova me kënaqësi ftesën për të vizituar Turqinë së afërmi, duke qenë se kemi një Kryetar të ri të Parlamentit në Turqi, por marrëdheniet tona dihet që janë mjaft solide dhe tradicionale. Kemi folur edhe për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe për një kujdes më të madh për edukimin e gjeneratave më të reja. Por natyrisht që kemi folur jo pak edhe për krizën në Siri dhe sidomos për krizën e refugjatëve, ku dua të vlerësoj edhe një herë Turqinë për një përpjekje gjigante që po realizon për të ndihmuar miliona refugjatë.”