Nga Saimir Demi
Përfundoi faza e parë dhe ende askush nuk ka thënë zyrtarisht, pra me bindjen absolute, që ky është kampionati më i bukur i kohërave moderne, një katalog luksi, i cili duhet hapur me kujdes, për të mos i lënë shenja gishtash në kapak, apo që është një kornizë e përsosur, qoftë edhe për portretin hijerëndë të shefit. Dikush është vonë dhe duhet të nxitojë, pasi nëse shpërthen me epitete e superlative pas ndonjë urdhëri të formës së prerë, ka të ngjarë të mos përvetësojë as edhe një faleminderit. Gjithsesi, deri tani janë mjaftuar vetëm me një përcaktim: Ky është një kampionat i veçantë! Dhe në këtë rast kanë të drejtë. Ky është vërtetë një kampionat i veçantë, sepse nëpër të ndodhin aq shumë gjëra të çuditshme, saqë ka filluar që gjithçka të na duket e zakonshme. Ndryshohen datat, oraret, stadiumet… dhe çfarë pastaj? E rëndësishme është të informohet publiku, që futbollisti ganez i Vllaznisë, Atsina, bëri rolin e mbrojtësit të Skënderbeut, vetëm sepse nuk di shqip, ndërsa në fazën e dytë, kur ta ketë mbaruar abetaren, jo vetëm që do ta lejojë Hasanin të shënojë në portën e kundërshtarëve, por edhe mund ta blejë Partizani.
Në fakt, në ditën e fundit të fazës së parë ndodhi një çudi, që vetëm disa mendje të zhdërvjellta në FSHF mund t’i gjejnë një rast të ngjashëm. Për të qenë të saktë, bëhet flajë për disa copa çudish, që po t’i bashkosh formojnë një të madhe, të paspjegueshme. Pikërisht përpara një ndeshje kaq të rëndësishme të Vllaznisë, stadiumit “Loro Boriçi” i hoqën barin e tapetit për ta rimbjellë madje nuk pritën dot as disa ditë për ta kryer këtë proces dhe kështu mund të shfrytëzonin pa shkaktuar dëme anësore, periudhën e ndërprerjes së kampionatit, me rastin e impenjimit të ekipit kombëtar në miqësoren e Antalias. Por, pjesa më fyese është se institucioni që drejton futbollin, rikonstruksionin e këtij impianti nuk e ka konsideruar asnjëherë si një dhuratë për qytetin që i ka dhënë jetë këtij sporti në Shqipëri. Në të kundërt, qysh në ditën e përfundimit të punimeve, u ngut t’i jepte vetes atributet e një pronari prepotent dhe Vllaznia tashmë trajtohet si një qeraxhie e mjerë. Ndërkohë që flitet për një stadium, i cili ndodhet në të njëjtën adresë në Shkodër që prej 65 vitesh, 6 muajsh dhe 1 jave. Veç kësaj, për ndeshjen ndaj Skënderbeut, nuk u pranua as mundësia që shkodranët të luanin në “Reshit Rusi”, për shkak se ambjenti nuk i plotëson kushtet, por as edhe në një stadium të një qyteti tjetër afër Shkodrës. Ndërsa për ta mbyllur këtë ndërmarrje qesharake, në përfundim u vendos, që takimi të luhej në Korçë. Në fund ishin drejtuesit e Vllaznisë që pranuan këtë variant të palogjikshëm, megjithëse janë në një pozicion të vështirë në tabelën e klasifikimit dhe pikët i duhen pikërisht tani për të dalë nga kolapsi, duke i dhënë një asist Skënderbeut, pas lodhjes nga aventura e Beogradit.
Ndodhia tjetër e kësaj jave të fundit në fakt ishte e lajmëruar. Flamurtari e luajti pa tifozë ndeshjen ndaj kampionëve të Kukësit, për shkak të një dënimi ekzemplar të publikut. E vërteta është, se tashmë Flamurtari është klasifikuar si një klub armik i “perandorisë” tonë të futbollit, madje edhe dënimi i deritanishëm ishte i ndarë me dy seri: Njëri për shkak të atij banerit si në kohën e xha Sulos, por që u pasua me një tjetër, në formë gjobe, pas ndeshjes me Partizanin, për fyerje në drejtim të kreut të FSHF-së, megjithëse ai 90 minutësh u luajt në Tiranë dhe klubi i Flamurtarit nuk ishte as organizator i takimit. Por, të dielën ndaj kuksianëve, vlonjatët nuk e braktisën stadiumin, duke qëndruar rreth tij në mbështetje të skuadrës, apo në pallatet aty afër dhe prapë nuk u rrinte goja. Kështu që Komisioni i Disiplinës ka vendosur t’i ndëshkojë sërish. Po, kështu do të ndodhë… tani do të dënohet e gjithë lagjia. Pra, për një javë askush prej atyre që banojnë te “Pavarësia”, nuk do t’u lejohet të dalin nga shtëpitë, madje nuk do të lejohen të dalin as në ballkone, pasi vlonjatët e tanishëm, mjafton të shohin një fushë me bar dhe shajnë Dukën.
Ndërsa ngjarja e fundit është thjeshtë teknike… ka ardh Sula. Drejtuesit e Partizanit kanë shkarkuar trajnerin Mark Iuliano dhe sa herë që një trajneri nga ana tjetër e Otrantos i pritet një biletë vetëm vajtje, kjo shoqërohet me rikthimin e Starovës për të vënë rregull. Për të qenë të sinqertë, “Bobi” është figura ideale për të zëvendësuar herë pas here trajnerët italianë. E njeh shumë mirë futbollin shqiptar në përgjithësi, në veçanti ambjentin tek Partizani, duke përfshirë edhe konjukturat dhe veç të tjerave e qan Çelentanon.