Policia e Tiranës ka finalizuar mbrëmjen e kaluar dy operacione të lidhura me njëra-tjetrën. Fillimisht është goditur një grup që tregtonte drogë në Kamëz, Paskuqan, Babrru etj, më pas është zbuluar edhe burimi i lëndës narkotike, që ishte Rinasi.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative të dokumentuara në operacionin e parë “Befasia”, se droga e sjellë në Tiranë ishte marrë nga shtetasi Hasan Sula, me banim në Rinas ka ushtruar kontroll në banesën e tij.
Pas kontrollit kryesisht në katin e dytë, në papafingo, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjithsej:
• 170 thasë me sistem vakumi të mbushur me lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sattiva.
• 1 pushkë model 56
• 25 fishekë
• 1 peshore elektronike (e cila përdorej për peshimin e lëndës së dyshuar si narkotike).
Sasia e lëndës së dyshuar si narkotike të përshkruar më lart pas peshimit rezultoi në peshën totale 1 ton e 239,5 kg.