Nga Saimir Demi
“Le coq gaulois” dhe “Pula e Dukës” ka mundësi që të jenë dy simbole të njëjta, por veçse po trajtohen në mënyra të ndryshme, për faktin e vetëm se dikush është maskilist, e dikush tjetër më tolerant. I pari është gjeli, simboli kombëtar i Francës dhe që skuadra përfaqësuese e futbollit të këtij vendi e ka të stampuar edhe në uniformën që e kanë veshur dhe e veshin disa nga futbollistët më të mëdhenj të globit. “Le coq sportif” shkruhet poshtë një gjeli të krekosur, gjë që është kthyer në markë, ndërsa poshtë uniformës ka qenë dikur Platini, më pas Zidan, ndërsa tani një gjel më shumë pigment, siç është Pogba.
Ndërsa tek ne, prej kohësh është duke u punuar që pulat të bëhen një simbol kombëtar, ndërkohë që futbolli është në avangard në këtë drejtim. U bënë 15 vjet që na e kanë stampuar në gjoks dhe nën të kanë qenë nga Cana tek Berisha, por vetëm se ne e shkruajmë “Pulë” dhe e lexojmë “Plus”, apo diçka tjetër. Popujt ndryshojnë nga njëri-tjetri dhe kjo është arsyeja pse globi është kaq interesant. Për shembull, në Britani nuk kanë turp që lopët t’i klasifikojnë zyrtarisht edhe si të çmendura, ndërsa në Indi janë gjithmonë të shenjta, aq sa mund të parkohen ku të dëshirojnë, qoftë edhe në stacionin e autobuzit. Në Francë, gjeli është pothuajse flamur në pjesë të ndryshme të vitit, por po qe se ndonjë i shkarë do të guxojë të thotë “të dhjefsha gjelin”, nuk është se do t’i gjejë gjë banorët e Marsejës. “Pulave u ka hije të kakarisin vetëm në kotec”? Dhe ti e thua m’u në mes të ditës? Jo vlla, sepse këtu jemi në Shqipëri dhe për një shprehje të tillë, dikujt mund t’i shkojë mendja që ta marrë të gjithë Vlorën dhe ta transferojë në Babicë. Këtu nuk flitet për gjelin sportiv të Francës, por për pulat e atij burrit, të cilit po i ngeli hatri, për të shkuar nga Kombinati deri tek Pallati me Shigjeta, duhet t’i biesh nga Currilat. Por, në këtë rast nuk duhet t’i biem edhe shumë në qafë, pasi në stadiumin “Flamurtari” nuk përfolën vetëm biznesin e shpendëve, por një sistem të tërë. Nëse në Francë, “le coq” do të thotë gjel dhe është vetëm në gjininë mashkullore, në gjuhën tonë sportive, “pulë” do të thotë meshkuj dhe femra, të mbledhur të gjithë së bashku, për të na ndryshuar jetën nëpërmjet futbollit. Kështu që përfundimi i gjithçkaje është logjik; vlonjatët e meritojnë që për ca kohë ta ndjekin skuadrën e tyre tek kafja e lagjes, pasi duke mos pasur pula, nuk kishin pse të bënin “ish”.
Në fakt, për të qenë më seriozë, dënimi i klubit vlonjat nuk është çështje pulash apo gjelash, por thjeshtë një hakmarrje primitive. Ndërkohë që është dënuar Flamurtari, një emër i madh i futbollit shqiptar, që edhe në rastin më ekstrem meriton të trajtohet me respekt, qoftë edhe për hir të historisë. Skënderbeu është nisur për në Beograd, ndërsa serbët vazhdojnë t’u kujtojnë futbollistëve të tyre, se është koha për hakmarrje, pasi disa djem nga Vlora, dikur u kanë bërë një dëm të pallogaritshëm. Ajo që Duka dhe ndihmësit e tij të përulur e dënuan me një të rënë të lapsit, është skuadra e Mexhitit, Agronit, Kreshnikut, Rrapos, Vasilit, Sokolit dhe shumë e shumë të tjerëve, ndërsa mbiemrat që i kanë pasur edhe më të rëndësishëm, duhet t’i rendisin në FSHF, për të kuptuar se sa qindra ikona janë veshur kuqezi në vite. “Pula të lumtura, vezë të shijshme”? Dhe kjo është arsyeja pse u ofenduan kaq shumë, për një baner të shpalosur, nëpërmjet të cilit vlonjatët i treguan shtëpinë reale ku shpendët e zhurmshëm mund të thërrisnin sa t’u donte shpirti? Më e keqja është, se nuk dihet saktësisht se kush u fyen më shumë, pulat, padroni, apo ata që përpara padronit nuk mund të gërmëzojnë më asnjë fjalë dhe e kanë më të thjeshtë të kakarisin? Një gjë është e sigurtë, që ne jetojmë në një vend ekstremesh. Në Korçë i japin titullin akademik, “Doctor Honoris Causa”, Orges Shehit, fiks 40 vjet më shpejt se t’ia jepnin Dritëro Agollit, në po të njëjtin fakultet. Ndërsa drejtuesit e tanishëm të futbollit në vend, nuk ngurojnë t’i japin atribute vetes, për të fshirë një histori të madhe dhe për të injoruar një qytet të tërë… Vlorën.