Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, ka kryer inspektime në zonën e degës së Drinit të Lezhës, ku po punohet për pastrimin e kanaleve kulluese si domosdoshmëri për parandalimin e përmbytjeve.
Pastrimi i segmentit rreth 8.2 km në vlerën e rreth 50 milion lekëve sipas Peleshit bëhet me shpenzime minimale.
“Kemi bërë ndërhyrje të segmentuara, për të pastruar kanalet ujitëse dhe kulluese në vite dhe kemi shpenzuar shumë e më shumë pastaj për të eleminuar pasojat e përmbytjes, ndërkohë që me pak fonde, me pak lekë, nëqoftëse do të investojmë në mënyrë të zgjuar, siç po më thonë inxhinierët dhe specialistët që punojnë prej vitesh në ujitje dhe kullim, ne kemi mundësi, që duke e marrë skemën nga fillimi deri në fund, ta pastrojmë dhe pastaj të shmangim dhjetëfish investime për të eliminuar pasojat e përmbytjeve. Kështu që po investojmë jo vetëm më shumë në ujitje dhe kullim, por edhe më mirë edhe në mënyrë më inteligjente“, tha Peleshi.
Ministri Peleshi ftoi gjithashtu të gjithë sipërmarrësit të investojnë në sektorin bujqësor.