Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, rinovoi këtë të premte kontratën e tij me klubin ku është rritur e zhvilluar. Por detaji interesant i kontratës së re, është se firma e hedhur e lejon Barcelonën ta ketë lojtarin në “Kamp Nou” deri në fund të karrierës së tij.
Deklarata zyrtare e klubit blaugrana e cilësoi kontratën e re, si një kontratë të përjetshme. Edhe presidenti Hoze Maria Bartomeu deklaroi se kjo ishte një marrëveshje historike, ndërsa Iniesta e cilësoi një ditë speciale këtë të sotmen. “Kjo është një ditë e veçantë për mua sepse do vazhdoj të qëndroj në shtëpi. Dua të vazhdoj të bëj gjëra të rëndësishme këtu”, u shpreh 33 vjeçari.
Lojtari katalanas, numëron 639 ndeshje me fanellën e Barçës dhe ka fituar plot 30 trofe.