Në akset kombëtare të vendit nuk do të lejohen më tabela reklamash dhe njësi tregtare.
Lajmi u bë i ditur nga dhënë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri gjatë një inspektimi tek mbikalimi i Shkozetit.
“Të gjitha akset kombëtare do të pastrohen nga njësitë tregtare e tabelat e raklamave. Do të keni 15 ditë kohë që t’i hiqni vullnetarisht”, tha ai.
Sipas tij operacioni do të zhvillohet në disa faza dhe do të kërkohet zbatim rigoriz përcaktimeve të Kodit Rrugor.
“Në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë u bëj thirrje të gjithë atyre që me veprimet e tyre kanë cënuar disiplinën dhe sigurinë e akseve rrugore: Keni vetëm 15 ditë kohë që të bëni në mënyrë vullnetare çmontimin e çdo aktiviteti civil/ekonomik pa leje, heqjen e çdo tabele që nuk ka lidhje me sinjalistikën rrugore por e pengon atë. Në përfundim të këtij afati, strukturat përkatëse do të ndërhyjnë në të gjithë akset kombëtare. Nuk do të ketë asnjë tolerancë. Në përfundim të të gjitha fazave të operacionit, hyrje-daljet e akseve kombëtare, nyjet dhe hapësirat do të pastrohen plotësisht” është shprehur ministri.
Gjiknuri u shpreh se do të hiqen të gjitha tabelat që nuk kanë lidhje me sinjalistikën rrugore pasi bëhen burim aksidentesh. Po ashtu do të bëhet çmontimi i çdo strukture të aktiviteteve civile ekonomike pa leje.