Fatjona Mejdini, BIRN
Shqipëria do të paguajë një agjenci britanike, Agjencinë Garantimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë, QAA, rreth 700,000 euro për të rankuar cilësinë e 35 universiteteve publike dhe private në vend.
Marrëveshja u nënshkrua më 29 shkurt mes ministres së arsimit, Lindita Nikolla dhe Douglas Blackstock, shefit ekzekutiv të përkohshëm të QAA – dhe vjen si pjesë e reformave në arsimin e lartë që qeveria e qendrës së majtë i ka filluar në vitin 2014. Sekretari ministrisë së arsimit, Plarent Ndreca i tha BIRN se kontrata, që është e vlefshme për 12 deri në 14 muaj do të rezultojë në vlerësimin e parë të detajuar dhe profesional të universiteteve shqiptare. “Puna do të ndahet në tre faza – përgatitja e kornizës së punës, trajnimii i ekspertëve dhe pastaj kontrollet në terren për të gjithë 35 universitetet shqiptare,” tha Ndreca.
Kryeministri, Edi Rama, tha gjatë ceremonisë së nënshkrimit se përpara se të merrte pushtetin tre vite më parë, arsimi i lartë në vend ishte në anarki totale. “Kjo situatë na detyroi të mbyllnim 18 institucione të arsimit të lartë, një institucion publik dhe 16 degë të lidhura dhe të pezullonim aktivitetin e 12 institucioneve të tjera,” tha ai. Rama dhe se Këshilli Britanik ka ndihmuar qeverinë të kontaktojë QAA dhe reputacioni i agjencisë është i padiskutueshëm.
Faqja në internet e agjencisë e përshkruan QAA si një organ të pavarur që merret me monitorimin dhe këshillimin mbi standardet dhe cilësinë në arsimin e lartë në Britani. “Ne jemi dedikuar të kontrollojmë se 3 milionë studentëve që punojnë për të marrë një kualifikim në Mbretërinë e Bashkuar, të marrin eksperiencën që presin në arsimin e lartë,” thonë ata. Mes klientëve ndërkombëtar, agjencia liston Sri Lankën, Pakistanin, Hong Kongun, Armeninë, Arabinë Saudite dhe Uzbekistanin.
Reforma në arsimin e lartë ishte pjesë e fushatës elektorale të Partisë Socialiste në vitin 2013 përpara se të formonte qeverinë. Masat që po ndërmerr përfshijnë mbylljen e institucioneve që nuk i kalojnë procedurat e akreditimit dhe që japin diploma false për shqiptarët si dhe studentët e huaj.