76-vjeçari, Riza Shasho ka parë vetëm gjatë 20 viteve të jetës. Më pas ai humbi shikimin në ushtri. Më 25 qershor 1963 u plagos me minë teksa bënte strehime, dhe dritë për të u bë kujdesi i të ëmës. “Sytë nuk mu kthyen, shikimi… Të gjitha të tjerat, domethenë me nofullën e thyer, frakturat që kam pasur, plagosja në krahë, të gjitha mu rregulluan, mu shëruan…por drita e syve nuk mu kthye”, tregon për Report Tv Rizai.
Pas largimit nga jeta të mamasë, ai u lidh shumë me muzikën, e cila ishte drita e vetme në jetën e tij. Rizai jeton prej 18 vitesh në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë. Ai tregon për Report Tv pse vendosi të jetojë aty.. “Unë nuk pyeta njeri po i bëra si fshehurazi dokumentat për në Shtëpinë e të Moshuarve se vëllai ky i Vlorës më kishte thënë disa herë hajde. Kur të bëhesh gati njoftomë, mirëpo kur e mori vesh ai unë i kisha mbaruar dokumentat, e kisha vendosur”, tha i moshuari.
76 vjeçari njeh çdo cep të asaj shtëpie, me shkopin në dorë ai na fton në dhomën e tij të vogël, me shtratin e zhubrosur. Në mure mban të varur tre fotografi, një në rini kur ka qenë ushtar dhe dy të tjerat në shtëpinë e tij, atë të moshuarve. Rizai teksa kthehet pas në të shkuarën rrëfen se çfarë e lidh atë kohë me të ardhmen…
“Kurajoja është e madhe, ai që ka kurajo jeton me shpresën e fundit. Se vdes shpresa pa vdes njeriu. Unë kam qenë gjithmonë optimist në jetë dhe unë pas fatkeqësisë kam mësuar dhe muzikën. Muzika të mban gjallë. Dhe unë që kam qenë i përkushtuar me fizarmonikën, unë ngrihesha në mëngjes, nuk laja sytë vetëm sa vishesha edhe e merrja e bëja ushtrime për shkathtësinë e gishtave”, rrëfen 76-vjeçari.
Rizai nuk ka dashuruar kurrë një vajzë apo grua, ndjenja ai ka krijuar vetëm për fizarmonikën, që edhe pse prej kohësh e kishte lënë të mbyllur, ai e nxjerr dashurinë e tij nga strehëza…dhe luan diçka për ne. “Unë nuk e di çfarë është kjo dashuria, hahet a pihet?”, pyet Riza Shasho…