Zbulohen emrat e 4 kandidatëve për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Emrat e rregjistruar janë Zana Çela, Agim Hushi, Josif Gjipali dhe Kleanthi Gjika. Ministria e Kulturës ka shtyrë deri të hënën afatin e dorëzimit të aplikimeve për këtë post, pavarësisht se skadonte këtë të dielë.
Një nga kriteret që kandidatët duhet të plotësojnë dhe që për Ministrinë e Kulturës është prioritet dhe parakusht është reforma menaxheriale për zhvillimin e mëtejshëm të Teatrit të Operas dhe Baletit. Kjo reformë do të përbëjë një prej sfidave kryesore të drejtorit të ri, pasi do ti duhet të menaxhojë një institucion vendodhja e të cilit do të ndryshojë nga shfaqja në shfaqje, pas fillimit të rikonstruksionit të parashikuar në Janarin e 2017.
TKOB mbeti pa drejtor pas dorëheqjes së Ilir Kernit në fund të korrikut. Ai kishte shprehur pakënaqësi për buxhetin e akorduar institucionit që drejtonte ndërsa u zbuluan edhe konfliktet që kishte me drejtoren artistike Abigeila Voshtina.
Agim Hushi është tenor i famshëm lindur dhe rritur në qytetin e Kavajës, ku sot konsiderohet si një nga zërat e rrallë të tenorit që ushtron aktivitetin e tij në të gjitha anët e botës.
Josif Gjipali është një këngëtar i njohur. Tenori që po hap një karrierë të mrekullueshme në skenat e Europës duke luajtur rolet më të rëndësishme të tenorit në operat e mëdha, duke i dhënë emrin e veçantë të një tenori të klasit të parë.
Zana Çela është e njohur shumë për punët dhe për përkushtimin e madh artistik. E njohur si: producente eventesh kulturore, autore programesh televizive gjithashtu edhe si gazetare.
Kleanth Gjika ose ndryshe Petrit Hajro është një ish trombist në orkestrën e TKOB, i kthyer nga emigrimi disavjeçar në Greqi.