Presidenti i Republikës, Bajram Begaj është shprehur se Gjykata Kushtetuese është kurora e demokracisë dhe rojtarja e paqes sociale në vend.
Begaj u shpreh se transparenca mbetet thelbësore për të ruajtur besimin e publikut te Gjykata Kushtetuese dhe sipas tij, pavarësimi dhe paanshmëria e kësaj gjykate, kërkojnë mbështetjen e duhur financiare dhe autonomi buxhetore.
Komentet Begaj i bëri teksa po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “Roli i Gjykatave Kushtetuese në Demokracitë e Reja”, organizuar me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Ai shtoi se sipas raportit, reforma në drejtësi ka sjellë zhvillime pozitive në ecurinë e kësaj gjykate.
Pjesë nga fjala e Presidentit:
30 vjet nuk janë shumë në konsolidimin e një institucioni kyç për rendin demokratik të një vendi, por nuk janë edhe pak.
Një vend, që linte pas një të shkuar diktatoriale, me institucione të kontrolluara tërësisht nga partia-shtet, në këtë rrugëtim të ri nuk kishte si të mos përballej me sfida të shumta.
Konceptet themelore të funksionimit të institucioneve në demokraci, si ndarja e pushteteve, kontrolli dhe balanca, paanshmëria e drejtësisë, mund të duken të thjeshta në planin njerëzor intelektual, por zbatimi i tyre ishte dhe mbetet kompleks.
Ai përfshin jo vetëm reformim të kuadrit kushtetues dhe ligjor, të shumë institucioneve, por edhe mendësi të re, formim të ri profesional e intelektual të shumë aktorëve institucionalë e shoqërorë, brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë.
Që nga 1992, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar çështje të natyrave të ndryshme dhe është konfirmuar si një institucion i balancuar dhe i vendosur në rrugëtimin drejt standardeve më të mira.
Emra të shquar të jurisprudencës shqiptare kanë qenë pjesë e këtij institucioni dhe kanë hedhur themelet e drejtësisë kushtetuese në vendin tonë.
Sot është dita më e mirë për të shprehur vlerësimet më të larta për të gjithë anëtarët dhe drejtuesit e kësaj Gjykate ndër vite, që kanë punuar me përkushtim për të ndërtuar një Gjykatë me autoritet, e ngjashme me gjykatat homologe në Evropë.
Është dita e duhur për të mbështetur trupën e Gjykatës, në punën e tyre për të garantuar që pushteti ushtrohet gjithnjë brenda legjitimitetit kushtetues dhe që interesi publik është i mbrojtur në çdo rast.
Besoj se do të diskutoni gjerësisht sot, për çka ka ecur mirë dhe për vështirësitë, për sa është mbështetur dhe mundësuar pavarësia e kësaj Gjykate në veprimtarinë e saj.
Ndryshimet e herëpashershme ligjore, në këto 30 vite, e kanë vënë Gjykatën Kushtetuese para sfidave të ndryshme, duke prekur aspekte të organizimit, kompetencave e funksionimit normal.
Reforma në drejtësi, e mbështetur fuqimisht nga partnerët tanë evropianë dhe amerikanë, ka sjellë zhvillime pozitive për Gjykatën Kushtetuese dhe aksesin në drejtësinë kushtetuese.
Rregullimet në mënyrën e zgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës, përfshirja e disa organeve kushtetuese, me kompetenca të detajuara, ka mundësuar një përzgjedhje në bazë të meritës profesionale dhe shkëputje nga ndikimi politik.
Zgjerimi i rrethit të subjekteve, që mund të iniciojnë një gjykim kushtetues, është gjithashtu një zhvillim pozitiv.
Lejimi i ankimit individual ndaj çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor, rrit kontrollin mbi kushtetutshmërinë e akteve dhe ofron mbrojtje më të madhe të të drejtave dhe lirive themelore, të garantuara në Kushtetutë.
Transparenca mbetet thelbësore për të ruajtur besimin e publikut te Gjykata Kushtetuese dhe për të siguruar një qasje të lehtë dhe cilësore të qytetarëve në drejtësinë kushtetuese.
Të nderuar pjesëmarrës,
Funksionimi i demokracisë dhe i shtetit të së drejtës është një kusht i panegociueshëm për objektivin tonë të pandryshueshëm: anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Agjenda e Integrimit, veçanërisht pas hapjes së negociatave për anëtarësim, shton detyrat për të gjithë institucionet e vendit.
Raporti i Progresit, i publikuar ditë më parë, ka vlerësuar progresin në institucionet e reja të drejtësisë, por ka vënë në dukje edhe problematikat, që kanë cenuar eficensën e sistemit gjyqësor.
Raporti bën thirrje për përmirësim të ritmit të procedurave të vetingut, pa dëmtuar cilësinë e procesit, si dhe rritje të eficensës dhe transparencës në gjykata dhe prokurori.
Zhvillimi i jurisprudencës kushtetuese sipas praktikave më të mira ,bashkëpunimi me institucionet homologe në Evropë dhe Amerikë, janë me rëndësi për konsolidimin e autoritetit të Gjykatës dhe forcimin e pavarësisë së saj.
Pavarësimi dhe paanshmëria kërkojnë mbështetjen e duhur financiare dhe autonomi buxhetore, për të mundësuar funksionalitet të plotë, aftësi vetë-rregulluese dhe për të mos lejuar asnjë cënim, nga asnjë degë e pushtetit.