Nga Alion Çaçi
Ky që iku, do mbahet mend si viti që humbëm Chuck Berry, Chester Benington, Tom Petty. Por njëkohësisht edhe David Rockefeller. Disa më të vjetër do e mbajnë mend gjithashtu që humbën Aleksandër Lalon.
Ky vit do mbahet mend si viti që njerëzit u prekën nga lotët e një ish ministri kriminel i cili nuk u prek kurrë, nga asgjë.
Do mbahet mend dhe që një tjetër, hajdut, u bë president.
Do mbahet mend që kryetari i opozitës nuk njeh tabelën e shumëzimit, dhe jo më të bëjë opozitë (e ka të vështirë në fakt; kjo qeveri “e majtë” i ka zbatuar vetë gjithë strategjitë e djathta).
2017-a do mbahet mend si viti që Kryeministri i tanishëm, fitoi zgjedhjet për herë të dytë, pa asnjë plan apo program për mandatin e ardhshëm, por me duart në xhepat e çitjaneve dhe këmbët në Adidas.
Do mbahet mend që Shqipëria nuk mundi të mos mbytej nga një shi i zakonshëm. Do mbahet mend që ndaluan me ligj ujin e pijshëm nga nëntoka.
Do ta mbajmë mend gjithashtu që, të bësh detyrën, shitet si punë ekstra dhe nder i madh, sidomos po të mbash lopatën në dorë gjatë kronikës së lajmeve.
Viti 2017 është viti në të cilin u inaugurua sheshi 20 milion eurosh dhe gjithashtu viti në të cilin u denoncua shfrytëzimi i fëmijëve në minierat e kromit.
Do mbahet me si viti në të cilin mbyllën Bibliotekën Kombëtare dhe organizuan takime dhe fushata leximi.
Do mbahet si viti që ministri i financave, prej të cilit varet ekonomia jonë, shtroi një darkë për shtresat në nevojë (përgjegjës për këtë është edhe ai).
Gjithashtu, do mbahet mend si viti që një qen i pafajshëm u masakrua nga dy adoleshentë, por edhe si viti që Luana nxorri Benzinën.
Do mbahet si viti që aprovoi më shumë leje ndërtimi sesa leje lindjeje.
Do mbahet mend si viti që njerëzit dëshiruan të largohen nga vendi më shumë se në 2016-n dhe më pak se në 2018-n.
Do ta kujtojmë si viti që të varfërit ndjenë më shumë skamjen dhe të pasurit ndjenë më pak të varfërit.
Do mbahet mend si viti që u protestua për prokurorin e ri dhe kurrë për rritjen e taksave dhe përkeqësimin e shërbimit.
Do mbahet mend si viti në të cilin janē përmendur më shumë emra spitalesh privatë, sesa i të vetmit spital shtetëror.
Disa do ta mbajnë mend që humbën dashurinë e jetës, disa të tjerë që e gjetën.
Unë personalisht do ta mbaj mend si vitin që ngjita më shumë maja malesh dhe si vitin që një tirans nuk më la të parkoja poshtë pallatit sepse jam jabanxhi. Do ta mbaj mend mbi të gjitha që u bëra me mbesë e cila, si shumë foshnje të lindura së fundmi, e nisi jetën te viti i sipërpërmendur…