Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Shkodër – Kush janë 38 martirët shqiptarë që po lumturohen sot

Nga Skenderi 0

U krye mesha për lumturimin e 38 martirëve të fesë katolike në Katedralen e Shën Shtejfnit.

I dërguari i Papa Françeskut, Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato kremtoi meshën për lumturimin e 38 martirëve, i cili vjen në një periudhë, kur kisha katolike dhe vendi ynë ka përjetuar ngjarje të mëdha, si shenjtërimi i Nënë Terezës, apo emërimi i kardinalit Troshani nga Papa Françesku.

Këta janë 38 martirët shqiptarë që u lumturuan sot:

Imzot Vinçenc Prenushi: françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet. U burgos e u torturua, sepse nuk pranoi ta shkëpuste Kishën Shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt me 19 mars 1949 në birucë të burgut, i shtrirë në dheun e lagësht, të ftohtë, këmbëzbathur, si Shën Fraçesku, bir të cilit ishte.

Imzot Frano Gjini: ipeshkëv, martirizimi i të cilit ia kaloi çdo fantazie kriminale njerëzore; i papërkulur para torturave, si nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars 1948.

Imzot Jul Bonati: meshtari i madh intelektual, si u mbyll, për torturë, në çmendinë e si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prenushit, i cili i jepte shûjtën për shtegtimin e mbramë: vojimin e shenjt’.

Dom Alfons Tracki: prifti gjerman, bir i Breslaut, u torturua dhe u pushkatua më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçare.

Dom Anton Muzaj: u torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë; si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme mbas pak ditësh, në moshën 29 vjeçare.

Dom Anton Zogaj: famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot Prenushit, meshtar jashtëzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të qelbur, ndërsa priste ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-tës.

Dom Dedë Maçaj: i akuzuar si spiun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua për rezistencën e tij heroike fetare, në moshën 27 vjeç.

Dom Dedë Malaj: mbeti i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike që i bëri fesë së krishterë në gjyqin e organizuar kundër tij që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959. Ishte 39 vjeç.

Dom Dedë Plani: dha shpirt në spital më 30 prill 1949, mbasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht torturave mizore.

Dom Ejëll Deda: famullitar i Bushatit, i arrestuar vetëm pse ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, mbas torturash çnjerëzore.

Dom Jak Bushati: e akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë, pretekste të cilat e çuan në pushkatimin pa gjyq më 12 shkurt 1949.

Papa Josif Mihali: njeri i Zotit, arrestuar e torturuar, veç me këtë akuzë, u mbyt për së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.

Dom Zef Maksen: meshtar gjerman, pushkatuar më 1946, duke shqiptuar fjalët: “Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit”.

Dom Lazër Shantoja: meshtar i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta pushkatonin një orë e më parë, gjë që s’munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës, ndërsa ishte në moshën 54 vjeç.

Dom Lekë Sirdani: personalitet i shquar i Kishës Katolike, prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.

Dom Luigj Prendushi: u arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.

Dom Marin Shkurti: i shuguruar meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura dhe shumë në atë të heshtimit. Guxoi ta vijojë heroikisht shërbimin meshtarak në kohën e terrorit. U arrestua, prandaj, u torturua e u pushkatua në vitin 1969.

Dom Mark Gjani: u arrestua për veprimtarinë e tij meshtarake dhe u shua gjatë torturave të tmerrshme në duart e salvuesve të tij në qeli, me 1945.

Dom Mikel Beltoja: u pushkatua më 10 shkurt 1974, mbasi mbrojti heroikisht e haptas idealet e veta fetare në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash, i cili e dënoi me vdekje.

Dom Ndoc Suma: vdiq 2 vjet mbasi ishte liruar, i shkatërruar, nga burgu, ku u torturua me akuza, për të cilat thoshte: “Vetëm, kur dola në gjyq e mora vesht pse isha arrestue”.

Dom Ndre Zadeja: prift e poet, pushkatuar pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë martiri i parë, viktimë e diktaturës komuniste.

Dom Pjetër Çuni: prift; vdiq i varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza.

Dom Shtjefën Kurti: prift, pushkatuar para banorëve të Gurëzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë, furrat e bukës.

Atë Bernardin Palaj: frat e poet i madh, do të vdiste ne Kuvendin e françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhësi i parë i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, por edhe muzikant e pianist i talentuar. Gjeni i letrave shqiptare, pasardhës i denjë i Fishtës së madh, i mbytur e i harruar.

Atë Çiprian Nika: françeskan, vdiq nën akuzën e rëndë e shpifëse se kishte fshehur armë në elterin e Sh’na Nout, në Kishën françeskane të Gjuhadolit.

Atë Gaspër Suma: rregulltar, pinjoll i një familjeje, që u shua nga komunistët, u arrestua më 1947 dhe vdiq në burg.

Atë Gjon Shkallu: frati i madh filozof, u pushkatua së bashkut me jezuitët Atë Gjovani Fausti (misionar italian) e Atë Daniel Dajani, si dhe me seminaristin Mark Çuni, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. U akuzuan për “tentativë arratisjeje” dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të katërve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën “Martir i Demokracisë”.

Atë Karl Serreqi: frati që nuk pranoi të kallëxojë rrëfimin e një të plagosuri në ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 4 prill 1954. Është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale.

Atë Mati Prendushi: frati që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq, u përndoq dhe u fal nga Krajl Nikolla e nga Mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi “gjyq” komunist. Nuk i dihet as varri.

Atë Serafin Koda: frat françeskan; dha shpirt mbasi hetuesët komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, ia shqyen fytin me thonj.

Vëlla Gjon Pantalia: jezuit; u arrestua ndër të parët e vdiq në spital, mbasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.

Fran Miraka, Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u vranë pse deshën Krishtin.

Maria Tuci: u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop. Virgjër e martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>