Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Raporti i BERZH: 48% e shqiptarëve të kënaqur nga jeta

Nga Ejona 0

Gati gjysma e shqiptarëve rezultojnë se janë të kënaqur nga jeta për periudhën 2015-2016, sipas një vëzhgimi të publikuar së fundmi në raportin e tranzicionit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Përqindja e të anketuarve që kanë shprehur kënaqësi nga jeta ishte rreth 48% në periudhën 2015-2016.

Në raport me vendet e tjera të rajonit, shqiptarët janë më të kënaqur me jetën sesa shtetasit nga Bosnja, Maqedonia, Serbia, ndërsa janë në të njëjtin nivel me ata nga Kosova.

Përqindja më e madhe e të anketuarve në rajon, që janë më të kënaqur me jetën është në Mal të Zi, me rreth 56% të të të anketuarve.

Vëzhgimi për jetën në tranzicion u krye nga BERZH dhe Banka Botërore në fund të vitit 2015 dhe në gjysmën e parë të vitit 2016 tek më shumë se 51,000 familjarë në 29 shtete ish komuniste (por jo në Turkmenistan) dhe pesë shtete krahasuese (Qipro, Gjermani, Greqi, Itali dhe Turqi).

Vëzhgimi përfshin pyetje për mirëqenien ekonomike, kënaqësinë nga jeta, besimet dhe qëndrimet si dhe pyetje të tilla që lidhen me peshën dhe gjatësinë (të cilat mundësojnë një vlerësim të cilësisë së jetës në vitet e para të procesit të tranzicionit).

Niveli mesatar i kënaqësisë së jetës në shtetet ish komuniste është 51% – nën nivelin prej 57% që shihet në Gjermani dhe Itali. Gjithsesi, kjo diferencë shpjegohet nga fakti se ish shtetet komuniste kanë nivele më të ulëta të të ardhurave për frymë.

Me përjashtim të tre vendeve (Republika e Kyrgyz, Tajikistan dhe Uzbekistan), ka një korrelacion të fortë pozitiv mes nivelit të zhvillimit dhe kënaqësisë së jetës.

Përgjithësisht, pesë vitet e fundit ka një rritje të kënaqësisë për jetën në vendet në zhvillim dhe ngushtimit të diferencës me shtetet e zhvilluara të marra në krahasim. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së kënaqësisë në vendet ish komuniste dhe rënies së saj në shtetet më të zhvilluara midis periudhës 2010 dhe 2015-16.

Në Gjermani dhe Turqi, kënaqësia ka rënë, pavarësisht rritjes së të ardhurave. Në Itali ndërkohë, kënaqësia ka rënë, në linjë me tkurrjen e të ardhurave për frymë, por reduktimi në kënaqësinë e jetës ishte më i fortë sesa mund të pritej nga ulja e PBB-së. Për Qipron dhe Greqinë, niveli i kënaqësisë është më i ulët sesa mund të pritej nga të ardhurat për frymë. Kjo është në kontrast të fortë me panoramën e vitit 2010, kur kënaqësia në të gjitha vendet e Europës Perëndimore ishte më e lartë sesa mund të sugjerohej nga të ardhurat për frymë.

/monitor.al/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>