Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Përralla me Mosad…

Nga 27.al 0

Nga Saimir Demi

Për mënyrën se si na trajtojnë të huajt, por edhe tanët, është vërtetë për të ndjerë keqardhje në të gjithë 24 orët e ditës. Nga gjithkund matanë kufirit kanë tagrin të vendosin përherë për ne, madje edhe kur flitet për çështje që të cënojnë rëndë dinjitetin. Ndërsa ne vazhdojmë të votojmë për drejtues, të cilët në marrëdhëniet me të huajt janë dhimbshëm inferior, ndërsa këtu brenda, prej kohësh shfaqen si diktatorë të dhunshëm. Së fundi, është vendosur që ndeshja Shqipëri – Izrael nuk do të luhet në “Loro Boriçi” dhe arsyeja ka të bëjë me sigurinë. Shtypi bënte insinuate që spostimi i stadiumit ka të bëjë me arrestimet në Shkodër e Dibër, të disa të dyshuarve për lidhje me të vetëquajturit Shteti Islamik (ISIS), madje thuhet se Mosad (shërbimi sekret izraelit) ka informuar për akte të mundshme terroriste gjatë zhvillimit të ndeshjes. Pra, në Shkodër nuk do të luhet, pasi e klasifikuan menjëherë si një territor të pasigurtë, ndërsa në Elbasan mund të zhvillohet takimi, pasi besimtarët atje nuk përbëjnë rrezik. Dhe kështu përflasin një nga qytetet simbol të Shqipërisë, duke iu referuar kulturës, tolerancës dhe bashkëjetësës fetare. Ndërsa komunikata zyrtare e FSHF-së ishte fjalë për fjalë kjo: “Federata Shqiptare e Futbollit njofton të gjithë sportdashësit, se ndeshja Shqipëri-Izrael, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Rusi 2018”, do të luhet në Stadiumin “Elbasan Arena”. Ndryshimi i stadiumit për arsye sigurie është konfirmuar me një shkresë zyrtare të mbërritur nga FIFA. Takimi që do të zhvillohet më datë 12.11.2016, në orën 20.45, nuk do të luhet në Shkodër”. Vetëm katër fjali për një vendim që dikush ka marrë për shtëpinë tonë, aq sa i duhet dikujt për të njoftuar në gazetën “Çelësi”, se ka për të shitur stallën e bagëtive. Në kohën e Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që nuk i dorëzoi hebrenjtë. Në atë kohë ishim shumë më pak të arsimuar, të kulturuar dhe si rrjedhim edhe shumë më fanatikë për sa i përket besimeve, duke u krahasuar me pjesën tjetër të kontinentit. Por, padyshim që ishim me një zemër më të madhe dhe si rrjedhojë u bë një pakt popullor, në qytete, por edhe në fshatra ku toleranca nuk ishte nocion shumë i përhapur, për t’i mbrojtur ata që pa asnjë arsye u bënë viktima të një genocidi të tmerrshëm. Dhe flitet për një kohë, kur nuk të vinin prangat për të bërë shoë, por të dërgonin në Aushvic për riciklim, ku nga katunar dilje sapun Lux.

Të gjithë e mbajnë mend se çfarë na bënë në Beograd. Fillimisht, bllokuan të gjitha rrugët që të çonin në stadium, duke lejuar të kalonin vetëm shqiptarët, si për të treguar se kjo gjendje terrori është e natyrshme, pasi pamja jonë e jashtme do të irritonte instiktivisht çdo serb, qoftë edhe atë më të qetin. Ndërsa në stadium na lanë në dorë të atyre që kishin sjellë me vete ç’të mundnin, madje dy-tre tipa e kishin ekzagjeruar fare, pasi i tregonin ekranet duke rrukullisnin nëpër shkallët e impiantit një fuçi 100 litërshe, ndërkohë që në fushë, në drejtim të futbollistëve tanë u vërsulën disa qënie të shfiguruara dhe të gjithë bënin si Oskeola. Kurse këta tanët, çfarë bënë për të vënë dinjitetin në vend? Pikërisht atë që dinë të bëjnë më mirë. Paguan nën dorë avokatë e prokurorë dhe kështu europianët na dhanë si të korruptuar, tre pikë që i meritonim ndershmërisht. Për ndeshjen e kthimit në Elbasan u vu një gjendje shtetrrethimi nga veriu në jug të vendit, ndërsa për të hyrë në stadium, shqiptarët i mbajtën shqiptarët me orë në ca porta të improvizuara (material që përdoren për skela ndërtimi), nën një shi rrebesh. Serbët këtë rradhë na dhanë një tjetër dru, tashmë në mënyrën më sportive të mundshme dhe u larguan si njerëz. Ndërsa ne, vendasit arritëm në shtëpi kokëulur dhe të bërë qull, aq sa edhe mbathjet na dukeshin si tatuazh.

Po pas ndeshjes Kosovë – Kroaci, kur shtypi i shkruar dhe ekranet e televizioneve u mbushën me komentet e tifozëve “vendas”, të cilët në përgjithësi shpreheshin të pakënaqur nga udhëtimi, nga mikpritja, nga cilësia e dobët e gatimit e të tjera si këto. Këtu vetëm dëgjonin dhe shpesh tundnin kokat në shenjë keqardhje. Njerëz të thjeshtë, por edhe publik, siç është një Halil Matoshi, i cili ka zgjedhur një mënyrë origjinale për t’u treguar patriot, pikërisht duke sharë të gjithë shqiptarët, përfshi Skënderbeun me gjithë kalë, nxorrën të tërë të zezat e shpirtit, duke identifikuar Shkodrën me një matrapaz që u kishte dhënë shtrenjtë vendin e parkimit. Jo shumë kohë më parë edhe të afërmit e këtyre që bënin sikur kishin mbërritur nga Rejkiaviku, janë pritur këtu si vëllezër të larguar nga lufta dhe do të do doja të dija si do të ishte po të ndodhte e kundërta…, por falë Zotit nuk ka ndodhur.

Ndërsa spanjollëve u bëri përshtypje vetëm fakti që panë rastësisht princeshën e tyre në aeroportin e Tiranës, e cila se ku shkonte diku për një dasëm, por patjetër edhe ca të kollarisur në pistën e “Loro Boriçit”, të cilët po gjuanin momentin për të bërë një selfie me Injestën. Dhe kështu, fqinjët tanë aspak dashamirës na e përqeshin përulësinë tonë dhe na tregojnë gjithmonë me gisht. Të tjerë të huaj më të largët na përçmojmë dhe ne përsëri durojmë. Por, nga ana tjetër, kur na jepet mundësia të zgjedhim gjithmonë gabojmë… kështu që në fund të fundit ka shumë të ngjarë ta meritojmë këtë trajtim.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>