Ka than' i moçmi: 

“Gjysmë mjeku-vdes njerëzia, gjysmë idealisti-nuk bëhet Shqipëria”.

                                     -Fan Noli

Libri me poezi “Në Kalanë e Zemrës Sime” vjen në gjuhën angleze

Nga 27-shi 0

Nga Marisu Chelaru

Doli në gjuhën angleze libri me poezi i poetit Jahja Lluka “In the Fortress of My Heart”, – “Në Kalanë e Zemrës sime”, me përkthim të Patricia Lidia.

Libri me poezi nga Jahja Lluka, është cilësuar lart nga kritika letrare shqiptare dhe po ashtu është mirëpritur nga publiku artdashës. Kështu, pasionantët e poezisë jashta trojeve shqiptare, të cilët kanë admirim ndaj letërsisë shqipe do ta kenë rastin që të njihen së afërmi me poezinë e Llukës.

Ky libër, po ashtu është përkthyer para ca muajsh edhe në gjuhën romune, me ç’rast është cilësuar lart nga kritika letrare romune. Dy janë koordonatat ndërmjet të cilave mund t’i plasojmë tekstet e Jahja Llukës, poet shqiptar nga Kosova, jeta e të cilit i është përkushtuar veprimtarisë sociale dhe politike, gjë për të cilën ka qenë i burgosur (nga regjimi serb ) si pasojë e bindjeve të tij, periudhë të cilën e gjejmë në poezinë “I burgosur”:

(Në qelinë ku drita e diellit/nuk futej/frymova me zor për muaj/s’e dija as kur ishte ditë/e as kur ishte natë./ I lodhur asht e lëkurë/lutesha të dilja i gjallë/vetëm ta puthja edhe një herë/baltën e dheut tim.).

Dhe pastaj pason dashuria ndaj atdheut:

(atdheu është si feniksi/ringjallet/nga hiri i tij/për ta kthyer/shkëlqimin e humbur/ndër shekuj për liri.)

Poeti shqiptar shkruan edhe për femrën, për të dashurën, për pritjen,për kujtimin e të priturës apo të humburës:

(Veç kujtimet më mbetën/jam i lodhur/s’e pres më/kthimin tënd.).

Apo:

(Në portën e shtëpisë sime/më vjen hija jote/natë për natë”,një hije e heshtur që iku në pakthim(Bukuria ime/përse vallë/ike me furi?).

Apo:

(Po flas me ty/duke të përshëndetur/kudo që je/për përgëzimet që m’i dhurove”;“Bukuria zgjat pak/I lumtur se të njoha!”; “Ti ishe drita ime/ishe shpresa ime/ishe fryma ime/dashuria ime/ishe çdo gjë për mua/tani jam një i humbur).

Dhe me siguri,në mënyrën e llojit në të cilin shkruan për përjetimet e tij, ai shkruan edhe për degdisjen e dashurisë:

(Dalëngadalë/kështjella e vjetër/ e dashurisë/ po shembet).

Dhe më tej:

(Malli që kam për ty/më është bë lak në fyt).

Ndërkaq, në anën tjetër, dashuria konsumon gjithçka, çfarëdoqoftë lloji bariere zbehet para përmallimit. Poeti është i disponuar të presë kthimin e së dashurës,në njërën apo në mënyrën tjetrër të pritjes.

(Të pres/ deri në pambarim.//E ndjej kthimin tënd / e dij se më përket).

Nga ana tjetër, poeti shkruan për Shqipërinë.

(Më e bukura e dheut/bijë Zeusi/ që gjithë bota të lakmoi), vendi në të cilin, kur atdheu digjet, digjet flaka e ëndrrave si një mallkim. Dhe vjen Kosova:

(margaritar i vogël/i Ballkanit të përgjakur), vuajtjet e së cilës janë më të mëdha se shekujt, por ku sot “lotët e fëmijëve tu/u shndërruan në lule/plagët e nënave/u shndërruan në gëzim.”.

Poeti shkruan me dashuri për të shkuarën e lavdishme dhe për tanishmërinë, për mitet dhe legjendat e popullit shqiptar:

(Rozafa:Emër sakrifice/simbol besnikërie/mishërim bukurie/ëndërr burri./Rozafë/kështjellë/krenari/dhimbje/frymë/gjurmë loti).

Pason përshkrimi i femrës shqiptare,”Mbretëreshë e historisë”, me sy shqiponje e trup hyjneshe, bukuria e së cilës”shkund malet”. Në substratin e lirikës së tij, poeti e prek edhe situatën e zonës së Kosovës. Pasojnë edhe plane tjera të cilat i prek kalimthi, duke na e bërë të ditur se sa të shkurta janë çastet e bukura në jetë:

(Gjithçka zhduket lehtas/ e ne veten e fajsojmë/se nuk ditëm vlerën/ e cikrrimave të lumturisë.)

Bota e sotme, mënyra në të cilën ndjen autori, me zhurmën, marrëzinë, kaosin. Bota sipas tij, për çdo ditë rrëshqet në kaos, dhe gjithçka duket se është e përmbysur:

(i drejti shkelet/tradhëtari lartësohet/e mira përbuzet/e keqja shejtërohet/dija rrënohet/injoranca përgëzohet.)

Dhe jo vetëm që s’e sheh një zgjidhje në vizionin e tij: “nuk e di si do jetë fundi/se fund nuk ka”, por duket se ku e ka vendin njeriu në të gjitha këto:

(ku mbeti njeriu/a thua është vra?).

Pason rrjedha e kohës, ardhja e pleqërisë; as vuajtje, as burg, as dhimbje, me të gjitha pasojat:

(Kur të vjen pleqëria/askush në derë nuk të troket/të gjithë të harrojnë/sikur nuk je më.)

Ja poezia ”Pa kthim”, njëra nga vjershat më të bukura të poetit shqiptar:

(Janë disa rrugë/që nuk shkelen dy herë,/janë disa ndjenja/që nuk kthehen dy herë,/janë disa fjalë/që nuk thuhen dy herë./Pa kthim/ shpesh gjërat ndodhin.)

Ekzistojnë autorë, siç është Jahja Lluka me këtë rast, për të cilët, tejmatanë poezisë, madje edhe përtej faktit për të qenë poet, më e rëndësishme është ajo që ka për t’i thënë botës. Janë autorë që pikësëpari u japin rëndësi përjetimeve personale, përjetime që ua djegin shpirtin. Për çdo poet, këto përjetime e zënë vendin elementar. Duke i lexuar këto vargje, kuptojmë se nga mënyra në të cilën i parashtron mendimet,sentimentet,opcionet e jetës, përjetimet e mveshura me petkun poetik, poeti kërkon një ekspresivitet të veçantë, një fjalor të sofistikuar, në “lojë” të metaforës në kuptimin e mirëfilltë. Në anën tjetër vjen edhe mënyra për të plasuar vetëveten, duke shkruar faktikisht për dashuri, për atdhe, për historinë e shkuar dhe të tashme. Poeti kështusoj bënë një analizë të ekzistenciales, të gjendjes faktike, në të cilën jeton, duke u përpjekur t’i sistematizojë gjërat përreth, përjetimet, situatat, jetën personale dhe jetën e fjalës, duke u shndërruar në një “rrobaqepës” rrobash të bukura, duke i dhënë prioritet konceptit të kuptimit dhe mirëkuptimit. Mesazhi që duket në qendër të gravitetit, ia shton vlerën diskursit poetik, imagjinatës së bujshme, përftyrimeve që i parashtron për “vizatimin” me fjalë, duke patur përballë një stil dhe një fjalim të drejtëpërdrejtë. Në këtë kontekst mund të themi se nuk i mungojnë figurat e stilit. Për poetin është e rëndësishme të kuptohet mesazhi i tij për atdhe, për dashuri, për femrën e dashur, për pritje dhe kërkime. Ngase, shkruan duke derdhur lotë, për gjakun e dashurisë, duke e nxjerrë në pah jetën ndërmjet vuajtjes. Kurse, kur është i lumtur dhe i gëzuar, poeti me penën e tij bën magji. Duke e prurë Jahja Llukën në gjuhën rumune, Baki Ymeri ia shton edhe një pjesë magjike misterit poetik, nëpërmjet të cilit autori ynë mund të krijojë një përfytyrim mbi mënyrën se si ndjehet e shkruhet në gjuhën e sotme shqipe, në vende të ndryshme ku gjenden pasardhësit e dardanëve.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej