Drejtori i ri i Policisë së Shtetit është zgjedhur Skënder Hita. Vendimi është marrë ditën e sotme dhe është dhënë nga Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari.
Sipas Lamallarit, ky vendim është marrë mbi bazën e meritës, profesionalizmit dhe integritetit, pas një procesi konkurrues ku Hita është renditur ndër kandidatët më të vlerësuar.
Postimi i Lamallarit:
Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam vendimin për dhënien e gradës Drejtues Madhor dhe emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z.Skënder Hita. Ky është një vendim i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet. Skënder Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga një proces konkurrues, duke dëshmuar përvojë të spikatur, vizion të qartë strategjik dhe angazhim të palëkundur ndaj ligjit dhe qytetarëve.
Policia e Shtetit ka një rol kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Prandaj, drejtimi i saj kërkon jo vetëm aftësi profesionale, por edhe ndershmëri, etikë dhe përgjegjësi të lartë publike. Jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë performancën, të rrisë besimin e qytetarëve dhe të përmbushë me përkushtim misionin e saj në shërbim të sigurisë dhe shtetit të së drejtës.
Në 5 vitet e fundit, Hita ka qenë drejtues në qarqet më të vështira në vend, Shkodër, Durrës, Dibër dhe së fundmi në Fier.
Kujtojmë se gara për Postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit u hap më 1 mars, pas largimit të Ilir Prodës nga drejtimi i Policisë.
Pas filtrit të aplikimeve dhe verifikimeve ligjore, në Ministrinë e Brendshme u zhvillua “testi final” për 14 kandidatët e mbetur në garë. Dy aplikante gra u skualifikuan që në nisje, pasi ligji kërkon që kandidatët të jenë pjesë e strukturave të policisë. Ndërkohë kandidatët e tjerë në garë bashkë me Hitën ishin:
- Afrim Tafa
- Alfred Çepe
- Arjanit Arapi
- Elidon Çela
- Gentian Berberi
- Gentjan Shehaj
- Idajet Faskaj
- Lorenc Panganika
- Neritan Nallbati
- Pëllumb Seferi
- Rebani Jaupi
- Saimir Boshnjaku
- Tonin Vocaj







