Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkarkon ambasadorin e Kievit në Gjermani, si dhe katër diplomatë të lartë në shtete të tjera.
Në një dekret ku nuk jepej asnjë arsye për këtë vendim, njoftohej shkarkimi i ambasadorëve të Ukrainës në Gjermani, Indi, Republikën Çeke, Norvegji dhe Hungari, raporton Reuters.
Zelensky u ka kërkuar diplomatëve të tij që të sigurojnë mbështetje ndërkombëtare dhe ndihmë ushtarake për Ukrainën, në përpjekje që të shmangë pushtimin rus, pas agresionit të nisur më 24 shkurt.
Marrëdhëniet e Ukrainës me Gjermaninë, e cila varet shumë nga furnizimet ruse me energji dhe gjithashtu ekonomia më e madhe e Europës, kanë qenë një temë mjaft e ndjeshme.
Të dy kryeqytetet janë aktualisht në mosmarrëveshje për një turbinë të prodhimit gjerman që i nënshtrohet mirëmbajtjes në Kanada.
Gjermania dëshiron që Otava t’ia kthejë turbinën gjigantit rus të gazit natyror Gazprom për të pompuar gaz në Europë. Ndërkohë Ukraina i ka kërkuar Kanadasë që të mbajë turbinën, duke thënë se dërgimi i saj në Rusi do të ishte shkelje e sanksioneve të vendosura ndaj Moskës.