Arta Marku vendos të reagojë për çështjen “Xhisiela”, e cila prej ditësh ka trazuar politikën shqiptare, median e mbarë opinionin publik. Përmes një njoftimi për shtyp kryeprokurorja e përkohshme thotë se çështjen e kërcënimit të ish-nënkomisarit Emiljano Nuhu ia kaloi për hetim prokurorisë së Tiranës.
Mbase Prokurorja e përgjithshme e Përkohshme nuk e ka të qartë, por hetimet kanë ecur jo pak. Janë sekuestruar kamerat e sigurisë së lokalit, është pyetur vetë ish-oficeri e janë kryer këqyrjet e telefonave të denoncuesit dhe pjesëtarëve të fisit Rraja.
Për të shkuar më tej, Arta Marku duket se as nuk e di për çfarë bëhet fjalë. Kjo për faktin se në njoftimin shpërndarë mediave thotë se ish-nënkomisari pretendon se u kërcënua nga Rrahman Rraja dhe Rexhep Rraja.
I pari është deputeti i PS, i dyti i biri që u arrestua për përndjekje dhe dhunë ndaj ish-të dashurës Xhisiela Maloku e ndodhet në qeli ndonëse institucionet reaguan pas akuzave publike të Nuhut. Por edhe vetë ky i fundit nuk pretendon të jetë kërcënuar tek Unaza e Re nga deputeti apo i biri , por nga Ramazan e Redjan Rraja, kushërinj me dy të parët. E në kushtet kur gruaja e votuar për të drejtuar përkohësisht institucionin qendror të akuzës nuk është e informuar drejt për pretendimet e ngritura nga ish-nënkomisari imagjino çfarë mund të presim nga hetimet për këtë çështje.
Deklarata e Prokurorisë së Përgjithshme
Prokuroria e Përgjithshme sqaron se pranë saj, është dërguar për dijeni, letra e nënkomisarit të policisë Emiljano Nuhu.
Pavarësisht se shkresa e nënkomisarit Nuhu është e dërguar për dijeni, Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar materialin Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të kryer verifikimet e nevojshme mbi pretendimet e kërkuesit Emiljano Nuhu, për kërcënimet dhe frikën për jetën.
Sipas parashikimeve të ligjit nr.10173, datë 22.10.2009 “Për Mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë” është kërkuar të vlerësohet situata e paraqitur nga kërkuesi Emiljano Nuhu.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë ka informuar se pranë kësaj prokurorie është regjistruar procedimi penal Nr.7103 për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.
Ky procedim është regjistruar mbi bazën e referimit të Komisariatit të Policisë nr. 6 mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Emiljano Nuhu. Në kallëzim, sikurse në shkresën e dërguar për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme, kallëzuesi pretendon se është kanosur për shkak të detyrës nga ana e shtetasve Rrahman Rraja dhe Rexhep Rraja.
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal janë administruar të dhëna shkresore, janë këqyrur pamje filmike si dhe janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen.
Hetimi vijon me intensitet në drejtim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes, evidentimit të faktit penal dhe personave të dyshuar si të përfshirë.
/BalkanWeb/