Nga Saimir Demi
Mania e shqiptarëve të futbollit për të bërë “shopping” është vërtetë një shembull i mrekullueshëm, se si mund të kthehet ky sport, nga një hobi i dikurshëm, kur konfidenca me paratë pothuajse nuk ekzistonte, në një dashuri të kushtueshme. Si në vapë, kur për shkak të temperaturave të larta do të doje të hiqje edhe lëkurën dhe tani në acar, kur nga veshjet njëra mbi tjetrën kërrusesh nga pesha, dëshira për të qenë në treg mbetet po e njëjta. Por, ka edhe një arsye që e bën pjesën më të madhe të drejtuesve të klubeve, të shpenzojnë më shumë se një herë për të ndërtuar skuadrën e të njëjtit sezon; trajnerët dhe futbollistët që u sygjerojnë në përgjithësi nuk janë të duhurit. Të gjithë e panë se çfarë spektakli ndodhi me pankinat në gjysmën e parë të këtij edicioni. Andrea Agostineli, që vetëm për punë muajsh ka qenë në krye të një skuadre të Serisë B në Itali, zëvendësoi Mirel Josën, katër herë rresht kampion në stolin e Skënderbeut. Mireli i zuri vendin Ilir Dajës tek Tirana, të cilin e larguan pa respektuar qoftë edhe një normë morali. Ndërsa Daja ulet në vendin e Agostinelit, ky i fundit në moshën 60 vjeçare iu nënshtrua një prove në Korçë, e cila zgjati nga dita e mirëseardhjes deri në atë të lamtumirës. Kjo është vetëm një pjesë e lëvizjes së teknikëve, në një kohë që për të ristrukturuar skuadrat, pati një interesim gati histerik në merkaton e verës. Si rrjedhim, vetëm në 10 skuadrat pjesmarrëse në Kategorinë Superiore, u transferuan 54 futbollistë. Por, shumë shpejt u kuptua, që vrulli për të shqyer protofolin dhe logjika fikse për ta kthyer periudhën e transferimeve në një ankand të stisur, nuk janë ato që vlejnë. Kështu, vetëm sa janë rritur artificialisht çmimet e lojtarëve, duke mos qenë në unison me nivelin e futbollit që luhet në vend, si dhe janë injoruar fare futbollistët vendas. Kjo situatë e pandrysheshme, të krijon përshtypjen, se në klube vegjetojnë njerëz fare indiferentë, të cilët janë të distancuar frikshëm nga tregu vendas, pasi ndryshe nuk ka se si të spjegohet, që ky lloj kaosi prej vitesh është kthyer në mënyrë normale jetese. Dhe pikërisht në këtë periudhë janari, ku të gjithë janë dakord se është fare e limituar mundësia që të gjesh futbollistë që bëjnë punë, por po të gjithë i janë sulur merkatos njëlloj si në verë, për të ndërtuar skuadra nga e para. Ky është një absurditet i padëgjuar diku tjetër, që të ndërtosh fillimisht një ekip për synime të mëdha, ta cënosh pas vitit të ri dhe t’i japësh dorën e fundit të shkatërrimit përpara kupave të Europës.
Flamurtari ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë kësaj pjese të sezonit, fillimisht për marrdhëniet e acarta me institucionin që drejton futbollin, aq sa u duk si hakmarrje heqja e gjashtë pikëve nga tabela e klasifikimit. Por në merkaton e kushtueshme të verës dhe problemet që shoqëruan skuadrën gjatë aktivitetit, sigurisht që nuk ka të bëjë FSHF-ja. Vetë vlonjatët, herë pas here kanë dëshirë të tregohen spektakolarë dhe aspak efikasë. U tha se kanë thirrur Antonio Kasanon, për t’i ndihmuar të rikuperojnë pikët e hequra brutalisht, si dhe për të fituar Kupën e Shqipërisë. Madje pak përpara se ambjenti të freskohej nga bora që mbuloi të gjithë vendin, pati edhe nga ata me një optimizëm ekstrem, të cilët njoftuan publikun, se edhe Ronaldinjo mund t’i bashkohej Flamurtarit, meqenëse ka mbetur pa skuadër. Ndërkohë që nga Vlora janë larguar Galiç, Radoviç, Lukiç, Marku, Hoxhaj, apo Çerkini (ky i fundit ka vuajtur gjatë nga dëmtimet), të gjithë këta të thirrur në verë, për të ndërtuar Flamurtarin e vërtetë. Dhe meqenëse funksionon kështu, gjithçka pasqyrohet edhe në gjendjen në klasifikim. E kundërta ndodh me Luftëtarin dhe kjo jo vetëm sepse gjirokastritët nuk janë aq dorëlëshuar, sa të hedhin para në plehra. Morën një trajner si Milinkoviç, shumë modest, por duket se po aq është edhe profesionist, u mbështet tek Dejvi Bregu, një talent që në Vlorë e bënë lanet, apo tek Kristal Abazaj nga Elbasani. Ndërsa një nga synimet e pakta të merkatos së janarit ishte Liçkollari, një mesfushor mbreslënës nga Pogradeci, por edhe ai jashtë vëmendjes, pasi këta mjeshtrat që drejtojnë lëvizjet në klubet e mëdha, nuk mund të shohin kaq poshtë. Dhe kështu që skuadra është solide dhe shumë e këndëshme në fushën e lojës. Pra, si përfundim, pas kthimit të skuadrave nga Antalia, ndoshta pas një shtyrje të kampionatit si pasojë e motit, gjë që u parapri nga një ngjeshje e kalendarit për shkak të dëshirës së komandantëve, gjithçka do të fillojë nga e para. Të tjerë futbollistë të mbërritur nga kudo, disa që nuk munden të bëjnë shumë dhe disa të tjerë të pamundur fare, për shkak të dëmtimeve të fshehura. Dhe finalja është një produkt entuziast me më shumë se 50 aktorë të huaj, por që i mungojnë më shumë se 50 gola që në gjysmën e edicionit.