Është vetëdorëzuar në polici gati katër muaj pas vrasjes së teknikut të kondicionerit, një prej vëllezërve Kusi.
Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Albano Kusi, i akuzuar për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Më herët gjatë muajit nëntor ishte vetëdorëzuar në polici edhe vëllai tjetër, Griseldo Kusi, i cili dyshohet se është autori i vrasjes së Indrit Çelës në 22 gusht të 2019-ës.
26-vjeçari nga Mallakastra punonte si teknik kondicionerësh në Tiranë. Ai kishte shkuar te biznesi i Bujar Kusit, babait të dy vëllezërve Albano dhe Griseldo, për instalimin e rrjetit të kondicionimit. Por pas një konflikti banal për rrjedhjen e ujit nga tubi i kondicionerit, Griseldo Kusi e qëlloi Çelajn me plumb në kokë duke i shkaktuar vdekjen. Së bashku me vëllain, Albanon dhe dy shokë, ata u munduan të fshehin dhe manipulojnë ngjarjen e rëndë.
Vëllezërit Albano dhe Griseldo Kusi
Informacion nga Policia:
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në rrugën “Muhamed Gjollesha”, si rezultat i kontrolleve të pandërprera të ushtruara në ambientet të ndryshme e banesa, dhe përdorimit të metodave proaktive, si dhe pas negociatave me avokatin dhe familjarët, është bërë e mundur që në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë të vetë dorëzohet shtetasi në kërkim Albano Kusi.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, bënë ekzekutimin e urdhërit të ndalimit të lëshuar nga Prokurori si dhe të vendimit të Gjykatës së Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë e cila ka vendosur masën e sigurisë Arrest në Burg, për shtetasin:
Albano Kusi, 28 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Tiranë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në datë 25.08.2019, ka dërguar urdhërin e për ekzekutimin e vendimit penal të datës 25.08.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest ne burg”, për shtetasin Albano Kusi për Veprat Penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” e kryer në bashkëpunim.
Shtetasi Albano Kusi, në datë 22.08.2019, rreth orës 11.00, në rrugën Muhamet Gjollesha, Tiranë, në ambientet e katit të parë të godinës tre katëshe në pronësi të shtetasit Bujar Kusi, ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, në lidhje me vrasjen me armë zjarri të shtetasit I. Ç.
Materialet në ngarkim të shtetasit Albano Kusi, i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë për veprat penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” e kryer në bashkëpunim.