Nga Enkel Demi
Javën e shkruar dy ambasadorë vendosën të marrin pjesë në mbledhjet e grupeve parlamentare të partive kryesore, në mënyrë që të shohin në sy ata që i bishtnojnë reformës në drejtësi. Pati një farë qejfmbetje nga disa gazetarë dhe politikanë, të cilët kanë folur për cënim të integritetit a mëvetësisë së shtetit.
Madje, Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm, tregoi për një vijë të kuqe, e cila po shkelet. Nuk ishte zëri i vetëm dhe tash jemi para faktit se mos këtë javë dy diplomatët na e shkelin pragun e kësaj vije dhe humbim virgjërinë, politika bëhet nga vajzë grua. Lutfi Dervishi bën dhe qyfyre, kur pyet: “Sot është takimi me prindër?”
Në fakt, vijë të kuqe, të verdhë, të gjelbër në Shqipëri nuk ka patur kurrë. Na kanë akuzuar armiqtë e shqiptarisë që nuk kemi aftësi shtetformuese dhe në fakt, nuk është se jua kemi hedhur poshtë këtë tezë apo u kemi rrëfyer një realitet tjetër. Të huajt, mirë apo keq, kanë treguar se e kanë dashur më shumë se ne këtë vend, madje janë kujdesur të jenë patriotë më të mirë sesa ne.
Veç pak pas themelimit të shtetit shqiptar, pranuam një Princ si Vidi të na udhëheqë, pasi vetë nuk ia dilnim. Edhe kur e përzumë kërkesë themelore kishim: “Dum babën”, pra sulltanin e Turqisë, një të huaj. Në kohën kur Enver Hoxha erdhi në pushtet punoi që ta kthente Shqipërinë republikë të shtatë të ish-Jugosllavisë. Në fillim të viteve ’90 u desh Xhejms Bejker në Tiranë që të zbytheshin komunistët dhe Muhamet Kapllani të ngrite dy gishtat lart. Në vitin 1997 takoje më shpesh në Rogner Franc Vranickin se sa kamarierin. Stefan Fylen e zuri borsiti në krah tek fliste në telefon me Ramën dhe Berishën derisa sajoi atë darkën e Korkodilit. Eduard Kukan u bë si parja e kuqe në Tiranë (meqë ra fjala për punë ngjyre) dhe të mendosh që është një nga njerëzit më të mërzitshëm në Bratislavë.
Mund të shkruhet pa fund për të huajt që kanë ndërhyrë në punët tona, i kanë prishur, por dhe i kanë rregulluar, sepse të zotët vetë kemi qenë rrallëherë, ndaj sot, kur Donald Lu dhe Ramona Vllahutin kërkojnë të marrin pjesë në nja dy mbledhje, nuk ka shkelur kush vijën, sepse vija ka pësuar metamorfozë. Qysh në themelimin e shtetit e kemi bërë kanal, ndaj urojmë që të na e mbyllin.