Emisioni Stop në Tv Klan denoncon sonte rastin e përndjekjes dhe ngacmimit seksual të një nëpunëseje në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Një zonjë tregon se prej 18 vitesh ka punuar tek Tatimet dhe 5 vitet e fundit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Ajo thotë se është ngacmuar seksualisht, përndjekur, shantazhuar, madje dhe dhunuar fizikisht nga kolegu i saj i auditimit Mexhit Allushi.
“Prej 18 vitesh jam punonjëse e administratës tatimore. Prej 5 vitesh në administratën qëndrore të Tatimeve, domethënë në Drejtorinë e Përgjithshme Tatimore, në një nga sektorët të ndjeshëm siç është auditi i brendshëm. Më vjen shumë keq që përveç historisë time, të “diskretitohet” dhe emri i këtij institucioni. Para 3 vitesh më ka rastisur të punoj me një nga kolegët e mi që është pak në moshë dhe quhet Mexhit Allushi. Pashë që përveç kësaj, zotëria filloi të kishte dëshira jashtë punës. Shihja që në mëngjes merrte lulet dhe i vendoste te makina, gjë që më bënte non sens. Bënte muhabete pak të turpshme që nuk mund t’i përmend në këtë intervistë. Gjatë udhëtimeve që bënim, sepse ai ishte shofer, filloi të vinte dorën mbi këmbë. Në atë moment i thashë të lutem. Më fal, tha, se rëshkiti. Pastaj një herë tjetër filloi përsëri. I thashë, të lutem…Filloi të ngacmojë dhe me duar. Një herë tjetër filloi të kapte nga fytyra, nga faqet. Ore ç’a bën? Shiko, unë doja pak të të prekja kështu. Gjatë orarit të punës më përndiqte qoftë me sy qoftë nga dritarja, ku shkoja, me kë pija kafe. Vinte tek hoteli ku qëndronim, pyeste a ka ardhur? Kur ka ardhur? Kur vjen? Me kë vjen? Kur dilja në mëngjes, recepsionistja që dorëzoja çelësin thoshte shiko se më ka pyetur kolegu jot për këto gjëra. Shtangesha. Telefonin e merrja e lija në një cep të shtëpisë aty, shikoja mesazhet që pse nuk e çon telefonin. Si duket ai ushqente iluzione… unë nuk e di, nuk e kuptoj. Unë nuk i kam lënë asnjë lloj shkaku”, thotë denoncuesja.
Zonja tregon edhe mesazhet që i dërgonte 60-vjeçari Mexhit Allushi pas orarit të punës.
Mexhit Allushi: Të pata shkruar diçka në WhatsApp. Shof që më ke bërë bllok. Bravo të qoftë, e ke gjetur fiks kujt t’i bësh bllok.
Denoncuesja: Mexhit Allushi hiq dorë nga këto metoda shiksi e provokuese. Telefonit tim mos i bjer e mos shkruan me numër të huaj dhe jashtë orarit të punës. Me mua matu mirë kur flet e sillesh, e ke tepruar shumë. Kontrollo veten dhe sjelljen patetike që ke. Kaq.
Mexhit Allushi: Numri është i imi. Kaq. Më mirë vonë se kurrë. Mendoj se nuk kemi asnjë arsye që të shpërfillim apo të injorojmë njëri-tjetrin. Klm.
Denoncuesja: Më ke marrë të premten telefon me kamera. Të lutem, telefonin e kam privat e nuk dua asnjë shqetësim mbas orarit të punës, e aq më tepër me kamera. Faleminderit në qoftë se do më kuptoni.
Mexhit Allushi: Të kërkoj shumë të falur meqë të ka ardhur sinjali. Doja të merrja dikë tjetër dhe e kam fikur menjëherë. Pandeha se nuk të ka ardhur sinjali prandaj nuk të mora për të të kërkuar të falur në moment. Edhe njëherë të kërkoj shumë ndjesë. Sinqerisht.
Denoncuesja: Katër herë gabim?! Nejse.
Mexhit Allushi: Nuk ka mundësi, vetëm një herë. Nëse flet që kam parë statusin është tjetër gjë. Unë i shoh të gjitha statuset, përfshirë edhe statuset e tua që më vijnë. Dhe të them të drejtën ndonjë status i joti më ka pëlqyer, prandaj i shoh.
Vetë Mexhiti, në një video-regjistrim, pranon se ka prekur kolegen në pjesë të ndryshme të trupit.
Mexhit Allushi-Si shokë edhe mund të përqafohemi, jo përqafim kështu, po përqafohemi, puthemi kështu..
Denoncuesja-Ore një sekondë, prit të të kap çikë faqen..! Ç’ishte kjo?
Mexhit Allushi-Faqen ta prek içik kështu..
Denoncuesja-Po mirë mo, ç’do të thotë ta prek çikë faqen? Mexhit të kam thënë shumë herë, po e tepron, po e trash avazin, po e trash zullumin, tashi unë nuk do rri përditë.
Mexhit Allushi-Çfarë do bësh tani?
Denoncuesja-Ore, unë çfarë kam ardhur që në fillim, atë punë do bëj.
Mexhit Allushi-Çfarë do bësh në lidhje me mua?
Denoncuesja-Mexhit,jo,jo,jo, unë kam kërkuar korrektësi dhe ti kontrollo veten! Ky është problemi jot.
Mexhit Allushi-Si do sillesh me mua?
Denoncuesja-Jo më jo, me ty do sillem siç jam sjellë.Nuk ka lidhje si do sillesh, unë siç jam sjellë në fillim do sillem e tani. Ti kujdes me veprimet, që bën!
Fillimisht viktima e ngacmimit seksual e ka referuar problemin tek drejtuesi i saj, Shpëtim Projku, i cili nuk mori asnjë masë.
Jo vetëm kaq, por në kthimin e përgjigjes së zonjës i drejtohej kësaj të fundit duke i thënë se po bëhet pengesë për vazhdimin e punës?!
“I kërkoj drejtorit tim direkt dhe i them, ju lutem sepse unë isha bashkë me një koleg tjetër që do auditonim këtë drejtori, dhe ndër të tjerash drejtori sjell edhe këtë person. I them, të lutem o ço ata të dy ose ço grupin siç ishte sepse unë nuk mundem. Drejtori menjëherë, shiko se ka kaluar, është harruar, në qoftë se do ketë debate të lutem më njofto, domethënë drejtorit tim nuk i ka interesuar kurrë cënimi i dinjitetit të punonjësve të vetë. I kam nisur email në datën 21.4.2022 ora 10:00 dhe i kam thënë të gjitha arsyet ligjore përse unë nuk dua të jem pjesë e grupit me zotërinë. Ai e dinte shumë mirë arsyen. Më kthen një përgjigje në datën 22.4.2022 dhe më thotë që kërkesa ime nuk pranohet. Dhe absurditeti vazhdon me fjalinë që po bëhesh pengesë për vazhdimin e programit. Kërkesa juaj nuk pranohet. Ju po bëheni pengesë për vazhdimin e mëtejshëm të programit”, deklaron denoncuesja.
/tvklan.al/