Dy persona janë lënduar kur një kamion u godit nga treni derisa po kalonte binarët në rrugën mes qyteteve serbe Paraqin dhe Jagodinë.
“Serbia kargo” ka paralajmëruar se shoferët duhet të respektojnë shenjat e komunikacionit, kurse shoferi dhe bashkudhëtari që ishin në kamion janë dërguar me urgjencë në spital për tretman, nga ku është konstatuar se nuk kanë pësuar lëndime të rënda.
Aksidentin e frikshëm e ka filmuar kamera e sigurisë, ku shihet se derisa kamioni tenton të kalojë binarët, goditet nga treni që lëvizte me shpejtësi duke e dëmtuar kamionin pothuajse plotësisht.
Kamioni që dukej se transportonte zhavorr, goditet aq shumë sa që vagoni i parë i trenit që e godet del nga binarët.
Autoritetet kompetente në Serbi kanë bërë të ditur se po hetojnë rastin për të përcaktuar se çfarë në të vërtetë kishte ndodhur.