Zjarrfikësit e Prishtinës kanë shpëtuar sot një lopë, e cila kishte rënë në një pusetë. Ndonëse i komplikuar, për shkak të terrenit të vështirë dhe nevojës për të hequr një gyp të betontë, operacioni, i cili ka zgjatur dy orë, është kryer me profesionalizëm nga zjarrfikësit dhe lopa është nxjerrë e gjallë dhe pa dëmtime.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të lagjes “Sofali” të Prishtinës. Gjatë operacionit të pranishëm kanë qenë edhe pjesëtarët e Policisë.
Një qytetar ka treguar se pusetat në këtë pjesë të qytetit nuk janë të mbuluara dhe se paraqesin rrezik si për qytetarët ashtu edhe për kafshët që kalojnë atypari.