Delegacioni iranian, i udhëhequr nga kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Ghalibaf, dhe me pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm Abbas Araqchi, është takuar me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif.
Lajmi raportohet nga Ynet, duke cituar mediat iraniane. Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim ka bërë të ditur se delegacioni do të diskutojë mbi “shkeljen e angazhimeve nga ana e Shteteve të Bashkuara” dhe më pas do të vendosë nëse do të nisë apo jo negociatat.
Vance dhe Ghalibaf: Kush janë dy drejtuesit e delegacioneve të SHBA-së dhe Iranit
Në krye të dy delegacioneve në tryezën e negociatave në Pakistan janë zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, dhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Ghalibaf – secili me një agjendë të qartë personale.
Ndërsa lufta është në Iran, Vance po luan shanset për të trashëguar ndikimin politik të Donald Trump dhe për të kandiduar për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2028. Ironikisht, ai, i konsideruar si një nga figurat më të pakompromista të administratës, do të duhet të mbështetet tek aftësitë e tij për dialog për të arritur sukses. Kjo është edhe arsyeja pse pala iraniane ka pranuar që ai të drejtojë delegacionin amerikan në Islamabad.
Nga ana tjetër, Ghalibaf, 64 vjeç, ish-gjeneral i Gardës Revolucionare, ish-kryetar bashkie i Teheranit dhe ish-shef i policisë, drejton Parlamentin prej dy mandatesh. Ashtu si Vance, edhe ai ka ambicie për të ngjitur shkallët e pushtetit në Iran, por ka kandiduar tre herë për president dhe është mposhtur në të gjitha rastet.








